Pasojat nga rebelimi i dështuar i shefit të Wagner-it Yevgeny Prigozhin dhe mërgimi i tij në Bjellorusi ka nervozuar vendet baltike. Gjatë takimit të nivelit të lartë të NATO-s në korrik, aleanca pritet të zgjerojë axhendën e saj përtej Ukrainës. Korrespondentja e Zërit të Amerikës pranë Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara njofton.
Është ende e paqartë se sa ushtarë të Wagner-it do të shoqërojnë Yevgeny Prigozhinin në Bjellorusi pas rebelimit së shefit të gripit mercenar kundër Moskës. Por fakti që ata mund të vendosen shumë pranë vendeve balltike, ka shkaktuar shqetësime tek këto vende.
“Nëse Wagner-i i vendos forcat e tij, që janë si vrasësit serialë, në Bjellorusi, të gjitha vendet fqinje përballen me një rrezik edhe më të madh. Në rrethana të tilla, parandalimi dhe mbrojtja është një përparësi kryesore”, tha presidenti i Lituanisë, Gitanas Nausėda.
Në korrik, në Vilnius të Lituanisë organizohet takimi i nivelit të lartë të NATO-s, vetëm 35 km larg kufirit nga baza e re Prigozhinit, duke theksuar urgjencën për të forcuar krahun lindor të aleancës. Gjermania njoftoi menjëherë se do të vendosë 4000 trupa të përhershme në Lituani.
“Ai po e humb luftën në vend. Dhe është bërë paksa i çuditshëm në mbarë botën”.
Presidenti Joe Biden tha se udhëheqësi rus Vladimir Putin është dobësuar nga përplasja e tij me Prigozhinin, duke e bërë kërcënimin, që paraqet Rusia dhe aleati i saj Bjellorusia, një pikë kyçe në takimin e Vilniusit.
“Çfarë ndodh me arsenalin bërthamor nëse Rusia do të jetë e paqëndrueshme? Çfarë ndodh, nëse ke dikë që është më luftënxitës se Putini, që vjen në pushtet në Rusi dhe ndoshta më pak i paparashikueshëm? Këto janë pyetje që duhet t’i përgjigjet vetë NATO-ja”, thotë Kristine Berzina me Fondin Gjerman Marshall.
Udhëheqësit e NATO-s duhet gjithashtu të vendosin se çfarë garancish sigurie do t’i japin Kievit.
“Ne gjithashtu do të biem dakord për një program shumëvjeçar për të ndihmuar Ukrainën të afrohet drejt NATO-s, për të patur një ndërveprueshmëri të plotë me NATO-n”, tha sekretari Stoltenberg.
Një tjetër element kyç, është rritja e shpenzimeve të mbrojtjes.
Vetëm shtatë nga 30 shtetet anëtare të NATO-s arritën objektivin për të shpenzuar 2% të Prodhimit të Përgjithshëm për mbrojtjen në vitin 2022./VOA