Presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviç tha sot se në vitin e ardhshëm ka hapësirë për të ndërmarrë hapa më të fuqishëm në rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe se tre vitet e ardhshme janë vendimtare që Mali i Zi të bëhet anëtar i plotë deri në vitin 2027 ose 2028.
“Ne si vendimmarrës në Mal të Zi dhe vendimmarrës në Bruksel duhet ta shfrytëzojmë këtë moment”, tha Milatoviç. Është e rëndësishme, shtoi ai, që në muajt e ardhshëm të merren vendime për emërimet në gjyqësor, të cilat janë nën juridiksionin e Parlamentit të Malit të Zi.
“Unë pres që mbledhja e re e Parlamentit të Malit të Zi të sillet me përgjegjësi dhe të gjejë një konsensus kur bëhet fjalë për emërimet në gjyqësor”, tha Milatoviç./abcnews.al