Presidenti i Lituanisë, Gitanas Nauseda, ka zhvilluar një vizitë në Ukrainë përpara samitit të ardhshëm të NATO-s në Vilnius.
“Mbërrita në Kiev përpara samitit të NATO-s në Vilnius me një mesazh kryesor, vendi i Ukrainës është në NATO”, shkroi presidenti Nauseda në twitter.
Më vonë gjatë ditës, presidenti Nauseda pritet të takohet me homologun e tij ukrainas, Volodymyr Zelenskyy.
Vizita e tij vjen disa orë pasi ai njoftoi një ndihmë të re ushtarake për Kievin.
Presidenti lituanez tha se Lituania ka blerë dy sisteme të mbrojtjes ajrore NASAMS, sistem kombëtar i avancuar i raketave sipërfaqe-ajër, që do të transferohen në Ukrainë.
“Mbrojtja ajrore është kyçe në luftën kundër agresorit”, tha presidenti Nauseda, duke shtuar se ai pret më shumë vendime kolektive për të mbështetur Ukrainën në samitin e NATO-s, që do të mbahet më 11-12 korrik.
“Së bashku deri në fitore”, tha ai.