Sandro Tonali është bërë shitja më e shtrenjtë në histori të Milanit, pasi mesfushori italian iu bashkua Newcastle United për 70 milionë euro.
Pak kush e mendoi se ky transferim do të realizohet, por në fund u arrit marrëveshja mes dy klubeve dhe Milani do të fitoj edhe bonuse, por ka ruajtur edhe 10 për qind të kartonit nga rishitja e ardhshme.
Rreth transferimit të mesfushorit italian në “St James Park” ka folur edhe Zlatan Ibrahimovic që e njeh mirë italianin pasi për disa sezone ishin së bashku te Milan.
Ibra theksoi se Tonali është gati për një kampionat shumë të fortë si Premier League, kjo edhe falë këshillave të tij që sipas ish-sulmuesit, i kanë ndryshuar mentalitetin mesfushorit.
“A është Tonali gati për Premier League? Sigurisht që po, në fund të ditës gjithçka varet nga vetë ai. Unë e kam këshilluar dhe e kam bërë që në fushë të zbresë me një mentalitet fituesi dhe në fakt, Tonali u bë një lojtar fitues.
Është rritur shumë te Milani, ka shumë përgjegjësi në rolin e tij dhe duhet të rritet ende. Por, jam i sigurt se në Angli do t’ia dalë, madje do të bëjë shumë mirë”, tha Ibrahimovic./ h.ll/abcnews.al