Kritiku opozitar rus, Mikhail Khodorkovsky, ka deklaruar se rebelimi i mercenarëve të “Wagnerit” ishte shenjë që paralajmëron fundin e “mbretërimit të presidentit Vladimir Putin”.
“Përpjekja për grusht shtet ushtarak të shefit të ‘Wagner’, Yevgeny Prigozhin, ishte një nga ngjarjet më serioze politike që ka ndodhur në Rusi në 20 vjetët e fundit…Për herë të dytë qëkur Putini mori pushtetin, Rusia pati një situatë revolucionare. E para ishte protesta masive kundër rezultateve të zgjedhjeve në 2011-2012. Opozita demokratike tani për të dytën herë nuk e shfrytëzoi situatën, sepse po përgatitej për skenarë të ndryshëm. Lëvizja demokratike duhet të nxjerrë mësim: ndryshimi i regjimit nuk do të vijë nga kutia e votimit”, shkroi Khodorkovsky.
Ai theksoi se Rusia nuk duhet të përgatitet për zgjedhje demokratike, pasi siç tha ai, Prigozhini është bandit po aq sa edhe Putini, e sipas kritikut rus, nëse Perëndimi nuk dëshiron një bandit të ri në krye të Rusisë, “duhet të vërë bast të madh në opozitën demokratike ruse”. Ai shtoi se me rebelimin e mercenarëve, u mor vesh se Putini nuk kontrollon trupat e se popullsia ruse nuk u beson më miteve të tij për luftën.
“Ai duhej të vraponte te Lukashenko dhe Kadyrovi për ndihmë për t’i dhënë fund kryengritjes, ndërsa njerëzit dhe qytetet e pushtuara i mirëpritën luftëtarët e ‘Wagnerit’. Marshimi i Prigozhinit mund të mos ketë përfunduar me marrjen e pushtetit nga ai, por ai e largoi Putinin nga një sasi e konsiderueshme pushteti dhe solli fundin e sundimit të tij. Kjo është arsyeja pse nuk mund të themi se kjo ishte e gjitha teatër, ishte shumë reale. Duket se Prigozhini vendosi të rebelohet duhet ditur se mund të humbiste ushtrinë e tij private dhe si rezultat, ndikimin e tij politik dhe jetën e tij. Prigozhini gjithashtu e dinte gjendjen e makinerisë së luftës të Putinit dhe nivelin e moralit të trupave”, shkroi ai në Twitter.