BULQIZË- Konkurrenca për pasagjerë është bërë shkak i një përplasjeje mes dy kompanive të transportit në Bulqizë.
Policia thotë se janë proceduar penalisht administratori dhe dy shoferë të një linje transporti, pasi dyshohen se kanë kanosur shoferët e një linje tjetër.
Ata akuzohen për kanosje dhe për vetëgjyqësi, ndërkohë grupi hetimor ka nisur punën për zbardhjen e këtij rasti.
Njoftimi i policisë:
Bulqizë
Kanosën për motive konkurrence, shoferët e një linje furgonash për transport të qytetarëve, procedohen penalisht administratori dhe 2 shoferë furgonash.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Bulqizë referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprat penale “Vetëgjyqësia” dhe “Kanosja”, për shtetasit M. Xh., 48 vjeç, V. Xh., 23 vjeç, të dy banues në Tiranë, si dhe për shtetasin F. GJ., 43 vjeç, banues në Bulqizë.
Shtetasi M. Xh. (administrator i një linje furgonash për transport të qytetarëve), në bashkëpunim me shtetasit V. Xh. dhe F. GJ. (shoferë furgonash të së njëjtës linjë), dyshohet se për motive konkurrence, prej disa ditësh, kanë ndaluar teksa lëviznin me automjetet e tyre private, shoferët e furgonave të një linje tjetër, si dhe i kanë kanosur ata.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme./n.m. abcnews.al