Kryetari i Komunës së Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, tha se aktualisht nuk mendon të jap dorëheqje nga detyra e udhëheqësit të kësaj komune.
Ai theksoi se nuk kanë ndonjë thirrje për dorëheqje dhe sipas tij duhet të ketë arsye ligjore për ta bërë këtë.
“Njëherë nuk po mendoj për dorëheqje se këto janë veç spekulime të bisedohet nuk mendoj, ne jemi duke punuar, njëherë për njëherë nuk kemi thirrje për dorëheqje”, tha Zeqiri për KosovaPress.
Ai ka shtuar mënyra e largimit të kryetarëve me peticion është një proces që merr më shumë kohë.
Sipas Zeqirit, kryetarët e zgjedhur në katër komunat veriore duhet të vazhdojnë të punojnë për aq sa kanë mundësi, pasi sipas tij, ka dyshime nëse zgjedhjet e parakohshme do të prodhojnë rezultat.
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, pas takimit të zhvilluar dje në Bruksel me shefin e diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell dhe emisarin e tij për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, ka thënë se janë të hapur për zgjedhje të parakohshme në komunat veriore, por sipas tij ato duhet të ndodhin sipas zgjidhjes ligjore.
Situata në veri të Kosovës është tensionuar prej 26 majit kur kryetarët e zgjedhur u detyruan të shkojnë në vendet e tyre të punës nën asistimin e Policisë së Kosovës.
Para ndërtesave komunale po qëndrojnë protestues serbë të cilët po kundërshtojnë kryetarët shqiptarë.
Gjatë kësaj kohe, protestuesit në veri, në mesin e tyre edhe të tillë me maska, kanë sulmuar pjesëtarë të Policisë së Kosovës, KFOR-it si dhe gazetarë të cilët po raportojnë nga pjesa veriore e vendit.
Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar disa prej sulmuesve, në mesin e tyre edhe organizatorin e sulmeve ndaj KFOR-it, Millan Millenkoviq-Llune.
Ndërsa forcat serbe kanë rrëmbyer tre policë kufitar të Kosovës, brenda territorit të vendit tonë, të cilët po vazhdon t’i mbajë në Serbi.
/KosovaPress/

