Në intervistën për emisionin “Sheshi i Dollarit”, eksperti për çështjet e ekonomisë, Adrian Civici theksoi se me sezonin turistik pritet që të ketë një ulje më të ndjeshme të euros. I pyetur nga gazetarja Genta Dobra se si pritet të jetë tendenca e euros dhe sa do të ndikojë marrja e Eurobondit, eksperti tha:
“Kjo nuk është një ekuilibër konjukturor por strukturor. Po hyjmë në një fazë afatmesme të këtij raporti të ri të lekut me euron sepse asnjë nga faktorët që kanë shkaktuar këtë situatë nuk janë konjukturorë. Pra, besoj se do të hyjmë në një periudhë disa mujore në një ekuilibër të ri në këto përqindje të ri këmbimi me një lek të fortë dhe një euro më të dobët.
Në këtë kurs këmbimi të ulët, ndoshta sezoni turistik, ku edhe fluksi i euros do të jetë akoma më i madh, do të ndikojë në ulje të mëtejshme të euros në raport me lekun. Ndoshta duke iu referuar edhe tendencave sezonale disa vjeçare, ndoshta mund të kemi një moment në fund muaji shtator ose tetor ku euro do të fillojë një proces të lehtë forcimi në raport me lekun. Gjithsesi në ato përmasa një euro 120 lekë, mendoj se nuk është periudhë e afërt që mund t’i kthehemi atyre vlerave.”, theksoi ai.