Suzana Varvarica e ka të lidhur ngushtë jetën me artin. Në një intervistë për emisionin “Pas mesnate” me gazetaren Leontina Nikaj ajo tregoi më shumë detaje rreth jetës së saj. Duke folur për fillimet, Suzana tha se me rënien e regjimit iu desh që të hiqte dorë edhe nga ëndrra e saj për skulpturën.
“Edukimi im ishte skulptura dhe pastaj një ecuri me të gjatë disa viteve deri në vitet ’90 kur edhe u ndryshuan sistemet. Me rënien e regjimit ranë edhe disa ëndrra të shumë njerëzve, ndoshta edhe një nga të miat që ta vazhdoja profesionin tim të skulpturës për të qenë një artiste në publik me skulpturën. Sepse natyrisht ishin vite shumë të vështira kur hynë dhe dolën sistemi i pronave, prishja e shumë shpijave, humbja e shtëpisë private që kishte dhe studion që punoja. U prishën si rezultat i këtyre transformimeve dhe filloi të mbetej në një sfond të dytë skulptura.“, tregoi ajo.
E pyetur se cila ishte indicia apo personi që e shtyu të studionte për skulpturë, ajo tha se kishte vendosur vetë. Ajo tha se ndonëse familja kishte frikë se s’do t’ja dilte, ajo tha se ishte këmbëngulëse.
“Në familje, vëllai im i dytë dhe babai donin që të merresha me art. Nëse them se kam vendosur vetë që të merresha me skulpturë, njerëzit s’do ta besojnë. Vendosa vetë të qëndroja në klasën e skulpturës dhe kur shkova atë ditë në shtëpi babai u mërzit shumë sepse mendonte se isha një fëmijë, pastaj do të bëhesha një nënë dhe do ta kisha shumë të vështirë por nuk ma prishi. Më ka pëlqyer gjithnmonë vizatimi dhe forma e volumi.”, tregoi ajo./abcnews.al