Blinken pritet të vizitojë Arabinë Saudite javën e ardhshme  

schedule09:02 - 3 Qershor, 2023

schedule 09:02 - 3 Qershor, 2023

Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken do të udhëtojë javën e ardhshme në Arabinë Saudite, një aleat i rëndësishëm me të cilin SHBA-ja ka marrëdhënie të mira.

Udhëtimi i Blinken në mbretëri vjen pasi të dy vendet kanë një rol ndërmjetësues në konfliktin e Sudanit, por nuk kanë arritur të sigurojnë  armëpushim midis palëve ndërluftuese.

Blinken do të diskutojë me zyrtarët sauditë “bashkëpunimin strategjik” midis dy vendeve për çështjet rajonale dhe dypalëshe, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller.

Ai gjithashtu do të marrë pjesë në një takim ministror të mërkurën me Këshillin e Bashkëpunimit të Gjirit, më pas të enjten në Riad për një takim të koalicionit të vendeve që luftojnë kundër Shtetit Islamik.

Udhëtimi vjen vetëm disa javë pas udhëtimit të Këshilltarit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, Jake Sullivan dhe gati një vit pas udhëtimit të Presidentit Joe Biden në mes të verës 2022.

Marrëdhëniet midis Uashingtonit dhe Riadit janë tensionuar dukshëm pasi administrata e Presidentit Biden akuzon monarkinë e Gjirit të pasur me naftë për abuzime të të drejtave të njeriut dhe ndikim në çmimet e naftës së papërpunuar.

Rasti i vrasjes së gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018, një kritik i autoriteteve të Riadit, në Stamboll mbetet ende një temë e nxehtë. Biden kishte bërë thirrje për një “rishqyrtim” të marrëdhënieve me Riadin pas vendimit të mbretërisë tetorin e kaluar për të ulur prodhimin e naftës.

Megjithatë, aleati saudit, të cilit Uashingtoni i ka dorëzuar shumë armë, luan një rol kyç në rajon dhe zyrtarët amerikanë nuk e kanë fshehur dëshirën e tyre për një marrëdhënie më të ngushtë midis vendeve pavarësisht dallimeve të shumta.

Përpjekjet për paqen në Jemen pritet të jenë në fokus  në bisedimet e Blinken.

/abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!