Haradinaj: Mocioni i mosbesimit për qeverinë Kurti, zgjidhja e situatës

schedule17:12 - 31 Maj, 2023

schedule 17:12 - 31 Maj, 2023

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj tha se është i shqetësuar për situatën e krijuar në veri të vendit. Pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Kryesisë, Haradinaj pohoi se situata është më e rëndë që nga viti 1999, duke shtuar se përgjegjës është vetë kryeministri Albin Kurti.

“Qëndrimi i Aleancës është që të iniciohet mocion mosbesimi për kryeministrin Kurti. Mocioni i mosbesimit bazohet në dy zhvillimet më të fundit. I pari është rrezikimi i sovranitetit dhe i sigurisë në veri, dhe i dyti është prishja e marrëdhënieve me SHBA-të, dhe BE-në”, është shprehur Haradinaj.

Ai shtoi se ka nisur konsultimet me partitë për mocionin.

“Kemi filluar komunikimin e ndërsjellë me kryetarët e partive në nivel të grupeve parlamentare, besoj që në të ardhmen do t’i japim edhe rezultatet e këtij komunikimi”, ka thënë ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!