Maqedonia e Veriut ka shënuar të dielën 28-vjetorin e pavarësisë. Në fjalimin e mbajtur, kryeministri Zoran Zaev tha se vendi i ka tejkaluar armiqësitë historike dhe problemet me fqinjët dhe ndodhet pranë hyrjes në institucionet europiane. Ndërsa VMRO-DPMNE në reagimin e saj ka deklaruar se ky është 28-vjetori i Republikës së Maqedonisë.
“Urime qytetarë, urime popull, kemi ndërtuar shoqëri unike, kemi ngritur shtet stabil, qoftë e përjetshme Dita e Pavarësisë, të jetojë Republika e Maqedonisë së Veriut”.
Këtë urim ua drejtoi kryeministri Zoran Zaev qytetarëve, në manifestimin e qeverisë në Shkup, së bashku disa qindra qytetarë, në 28-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Maqedonisë. Ai vlerësoi se shteti përparon, e kapi trenin e fundit për të ardhme prosperuese, anëtarësimin në NATO dhe një hap afër negociatave me Bashkimin Evropian, në Tetor, siç theksoi, duke u bërë thirrje qytetarëve secili të përpiqet për formimin e të ardhmes së shtetit.
“Nga një shtet me shumë probleme dhe marrëdhënie të këqija me të gjithë fqinjët, sot jemi shembull pozitiv, model të cilin të tjerët duan ta ndjekin, krenari evropiane, i zgjidhim problemet, nuk ikim prej tyre. Krijojmë marrëdhënie të reja me fqinjët, jemi miq me të gjithë, e përforcojmë bashkëpunimin. Republika e Maqedonisë së Veriut njihet si frymëzim për një Ballkan të ri”, tha Zaev.
Presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, duke uruar qytetarët me rastin Ditës së Pavarësisë theksoi se jemi dyerve të institucioneve evropiane dhe euroatlantike.
“Në vitin 1991 zgjodhëm pavarësinë, në vitin 2001 bashkëjetesën ndëretnike. Sot jemi para dyerve të institucioneve evropiane dhe euro-atlantike. Për të arritur qëllimin, duhet të rivendosim unitetin që e kishim në fillim të pavarësisë. Për këtë arsye ne kemi nevojë për pajtim të qytetarëve dhe pajtimi i përhershëm kërkon institucione efektive të drejtësisë dhe integritetit”, thotë Pendarovski.
Derisa Zaev përshëndetej dhe fotografohej me qytetarët në parkun e qytetit, i shoqëruar nga më shumë ministra nga kabineti i tij, kundërshtari i tij politik, lideri i opozitares VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski, njoftoi se festën e ka pritur në lartësi mbidetare prej 2800 metrash, në majën e malit Korab, prej ku publikoi një fotografi në Facebook. Këtë moment për shtetin e vlerëson si “mot i keq kur jeta bëhet ferr”. Në video-mesazhin e mbrëmshëm Mickoski theksoi.
“8 Shtatori është edhe i komitëve edhe i partizanëve, i njerëzve të mençur të VMRO-së, por edhe të LSDM-së, i atyre që besojnë në Maqedoni dhe betohen për këtë copë dhe askush nuk duhet të ëndërrojë për shtete të mëdha të huaja. Kjo është shtëpia që na ka dhënë gjithçka. Ky është vendi që i ka rritur, i ka shkolluar dhe i ka bërë ajo që janë. E vetmja Republika e Maqedonisë. Gëzuar ditëlindjen Maqedoni”, tha Mickoski.
Por, pas pothuajse tri dekada pavarësi, një nga sfidat kryesore, deri tani të pakapërcyera për Maqedoninë mbeten sundimi thelbësor i së drejtës, zvogëlimi i korrupsionit dhe thellimi i demokracisë. Sipas Zaev, përgjegjësia nuk është vetëm e politikanëve, por si duket jo të gjithë pajtohen me të.
“Sistemi gjyqësor është askund, krimi lulëzon, çfarë të them më shumë. Politikanët kanë përgjegjësi, qytetarët në asnjë mënyrë. Nga viti 2006 e këndej është katastrofë. Nuk ka asnjë përmirësim”.
“Punët ecin mirë, ka problem, ka pengesa, por më shumë më pëlqen kjo periudhë. Në çdo shtet ka më shumë rryma, njëra që dëshiron të mirën e popullit, të tjerat janë me nevoja tjera, joligjore. Vështirë shkon, por megjithatë do të arrijmë deri të shteti i së drejtës”.
Derisa nga skena në parkun e qytetit dëgjoheshin porositë e politikanëve dhe programi festiv, përreth sportistë, aktivistë, prindër dhe fëmijë festonin në mënyrë spontane. Festa e Pavarësisë e Maqedonisë u kthye në një piknik të madh, në një ditë me diell Shtatori./ABC News Albania 24/7