Mundësia për të dalë më shpejt në tregun e punës ka shtyrë shumë të rinjë të studiojnë për biznes, administrim dhe ligj.
Më shumë se 1/4 e të diplomuarve vitin e fundit sipas Institutit të Statistikave kanë përfunduar këto degë.
“Unë fakultetin e parë e kam ekonomiks. Ky është fakulteti i dytë për informatikë ekonomike. Duke qenë së po shkojmë drejt teknologjisë mendova të bëj një gërshetim mes të dyjave”, tha një student.
Ideale është nëse mundësitë përputhen me pasionin. Kështu i ka ndodhur Erës nga Gramshi studente e vitit të dytë në mjekësi të përgjithshme dhe Enxhit nga Kamza e cila sapo ka nisur shkollën e lartë për farmaci.
“E kisha qejf që e vogël, e kisha pasion, më doli që me herë të parë, isha shumë e lumtur sepse dhe mjekësia ka treg pune”, theksoi ajo.
-Ku dëshiron të punosh brenda vendit apo jashtë?
“Do ja lë kohës, dhe jashtë dhe Shqipërinë do e zgjidhja. Varet nga mundësitë që do kem, e ardhmja që do të më vijë”, ishte përgjigja e saj.
“Hodha degë të teknikës, imazheri, teknikë laboratori, stomatologji, hodha mjekësi, ajo nuk doli, kështu që mora farmaci. është një profesion më i përshtatshëm për femra, dhe mendova se do ishte më mirë farmaci”, u shpreh studentja tjetër.
Nëse vajzat po diplomohen më shumë në degë që kanë lidhje me shëndetin dhe mirëqenien, djemtë po zgjedhin inxhinierinë, prodhimin dhe ndërtimin.
““Inxhinieri, informatikë dhe matematikë, jam i apasionuar pas matematikës informatikës. Jam rritur me atë frymë dhe më pëlqen. Çdo gjë drejt asaj po ecën, që te kamera që po më filmoni. Për momentin kam pas mundësi me ik dhe jashtë, nuk kam ik”.
“Bioteknologji viti i pare, kjo degë më pëlqeu, mu duk goxha interesante, më kishin thënë që është degë goxha e mirë. Është diçka miks le të themi, se kap dhe aspekte të teknologjisë dhe biologjisë, është një e mesme e artë, dy gjëra që kisha goxha qejf. Bachelorin do ta vazhdoj, këtu masterin jashtë”, shprehen ata.
Arsimi mbetet më shumë një punë për vajza se për djem. Kjo referuar raportit të fundit të Institutit të Statistikave sipas të cilit, vjet në këto programe studimit 80% e të diplomuarve ishin vajza. Ndryshe ndodh me shërbimet ku dominojnë djemtë me më shumë se 64% të atyre që përfunduan shkollën e lartë një vit më parë./abcnews.al