Rritja e përdorimit të diodave që lëshojnë dritë (LED) dhe formave të tjera të dritës po ndikojnë në mënyrë dramatike në qiellin e natës, sipas shkencëtarëve.
Përdorimi pa kriter i dritës artificiale të jashtme, ndriçimit të rrugëve, posterave reklamues dhe ndërtesave të ndriçuara na pengojnë dukshëm pamjen e yjeve.
Në vitin 2016, astronomët zbuluan se Rruga e Qumështit nuk ishte më e dukshme për një të tretën e njerëzimit. Që atëherë, ndotja nga drita është përkeqësuar ndjeshëm. Aq shumë sa që me ritmin aktual, shumica e yjësive do të jenë të padukshme pas 20 vjetësh, një humbje kulturore dhe shkencore, vlerësojnë shkencëtarët.
“Qielli i natës është pjesë e mjedisit tonë dhe do të ishte një humbje e madhe nëse brezi i ardhshëm nuk do ta shihte kurrë atë ashtu,” tha Martin Rees, Astronom Mbretëror i Britanisë së Madhe. “Nuk duhet të jesh astronom që të interesohesh për këtë. Unë nuk jam ornitolog, por nëse nuk do të kishte zogj në kopshtin tim, do të ndihesha i varfër”.
Rees është themeluesi i një grupi ndërpartiak të “qiejve të errët” në Britani, i cili kohët e fundit krijoi një raport që bën thirrje për një sërë masash për të trajtuar ndotjen e dritës.
Hulumtimi nga fizikani Christopher Kimba i Qendrës Gjermane për Gjeoshkencat zbulon se ndotja nga drita ndriçon qiellin e natës me 10% në vit, një rritje që kërcënon të zhdukë mundësinë e të parit yjet. Me pak fjalë, një fëmijë i porsalindur, edhe pse sot është në gjendje të shohë 250 yje, kur ai të jetë 18 do të shohë vetëm 100.
“Pasojat negative të ndotjes nga drita janë po aq të panjohura për popullatën sa ato të pirjes së duhanit në vitet 80”, thekson profesor Oscar Cortso, i Universitetit Politeknik të Madridit. /abcnews.al