Kurti: Marrëveshja me Serbinë duhet të zbatohet pa kushte

schedule14:24 - 28 Maj, 2023

schedule 14:24 - 28 Maj, 2023

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se Marrëveshja drejt normalizimit të raporteve me Serbinë, dhe Aneksi i saj duhet të zbatohen shpejt dhe pa kushte dhe të jetë zbatim i plotë.

Kurti u takua më 28 maj me raportuesen për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, dhe shefin e zyrës së Bashkimit Evropian, Tomas Szunyog.

Më 27 shkurt në Bruksel, Kosova dhe Serbia arritën Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq në mars në Ohër, u arrit edhe pajtimi për Aneksin e zbatimit të saj.

Kjo marrëveshje, nuk përfshin njohjen reciproke për të cilën insiston Kosova, por kërkon nga Kosova dhe Serbia që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Dokumenti prej 11 nenesh kërkon, po ashtu, nga palët që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve, përfshirë edhe atë për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, të cilin Qeveria në Prishtinë e ka refuzuar deri më tash, me arsyetimin se mund të rrezikojë funksionalitetin e shtetit.

Gjatë takimit me zyrtarët evropianë, sipas njoftimit, Kurti bisedoi me ta për tensionet e fundit në veri të Kosovës, pas hyrjes në zyrat komunale të kryetarëve të rinj të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit.

“Kryeministri rikujtoi se zgjedhjet në katër komunat në veri të vendit ishin shtyer një herë në dhjetor, dhe se tani pas mbajtjes së tyre me 23 prill, është e rëndësishme që të fillojmë sa më parë me ofrimin e shërbimeve bazike për qytetarët, të cilat kanë munguar që nga fillimi i muajit nëntor të vitit të kaluar pas dorëheqjes së kryetarëve pararendës”, u tha në njoftim.

Më 26 maj, grupe të serbëve lokalë u përleshën me Policinë e Kosovës e cila asistoi kryetarët e rinj që të hynin në ndërtesat komunale.

Më 25 maj, kryetarët e rinj të Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Zveçanit, bënë betimin në shkolla dhe ndërtesa të tjera komunale, për shkaqe sigurie. Ndërkaq, kryetari i Mitrovicës së Veriut, paraprakisht ishte betuar në ndërtesën e komunës, pasi kjo komunë është e vetmja në veri që ka ndërtesa të ndara komunale të institucioneve që punojnë sipas sistemit të Kosovës dhe atyre paralele, që punojnë sipas sistemit të Serbisë.

Bashkësia ndërkombëtare dënoi veprimet e Prishtinës dhe i cilësoi si “hyrje me forcë” shkuarjen e kryetarëve të rinj në zyrat e tyre nëpër komuna.

Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës – në nëntor të vitit të kaluar.

Kjo parti i braktisi të gjitha institucionet e Kosovës, për shkak të vendimit të Qeverisë në Prishtinë për të kryer procesin e riregjistrimit të makinave me targa ilegale serbe.

Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, e cila tani nuk i pranon rezultatet, përkatësisht kryetarët e rinj./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!