Tjetër aksident i frikshëm në garat me makina

schedule16:45 - 7 Shtator, 2019

schedule 16:45 - 7 Shtator, 2019

Një tjetër aksident i tmerrshëm ndodhi në garat e shpejtësisë këtë fundjavë. Piloti Australian Aleks Peroni shpëtoi mrekullisht, ndërsa një javë më parë humbi jetën francezi, Antuan Hyber.

Ishte një spektakël i tmerrshëm si ata të viteve 70-të.

Një tjetër moment tmerri ndodhi në garat e shpejtësisë, këtë herë në pistën e Monzës në Formula 3, ku piloti australian, Aleks Peroni, arriti të shpëtonte për mrekulli nga vdekja.

Makina e tij doli gjerë në një kthesë, dhe hasi në një gungë të vendosur anës pistës, gjë që e bëri të fluturonte në ajër.

Pasi u rrotullua tri herë rreth vetes, makina e Peronit u përplas me gardhin e jashtëm të pistës, duke u dëmtuar mjaft, por piloti 19-vjeçar qëlloi me shumë fat.

Ai doli nga makina e tij krejtësisht i padëmtuar, por gjithsesi përfundimi mund të kishte qenë fatal.

Aksidenti i australianit ndodhi saktësisht një javë pas përplasjes së tmerrshme që I mori jetën pilotit francez të Formula 2, Antuan Hyber.

Gjithë bota e automobilizmit I bëri homazhe Hyberit, ndërsa piloti tjetër i përplasur në Belgjikë, Huan Manuel Korrea, fillimisht u bë mirë në spital, por së fundmi gjendja e tij u përkeqësua dhe ai ra përsëri në koma.

Menjëherë pas aksidentit të Peronit, pati reagime të fuqishme në rrjetet sociale për të hequr gungat artificiale në bordurat e pistave, dhe kjo gjë do të bëhet që në Monza, këtë fundjavë. /ABC News Albania 24/7