Presidenti i SHBA-së, Joe Biden, shënoi trevjetorin e vrasjes së afroamerikanit George Floyd, duke i kërkuar Kongresit që “të miratojë një reformë domethënëse policore”.
“I bëj thirrje Kongresit të miratojë një reformë domethënëse në polici dhe ta dërgojë atë në tryezën time. Unë do ta nënshkruaj atë. Do të vazhdoj të bëj gjithçka që kam në fuqi për të luftuar për llogaridhënien e policisë në Kongres dhe mbetem i gatshëm të punoj njësoj edhe me Republikanët edhe me Demokratët për zgjidhje të vërteta”, tha Biden në një deklaratë.
Duke vënë në dukje se drejtësia e barabartë është një “besëlidhje që secili kemi me njëri-tjetrin”, Biden tha: “Sot, tre vjet pas vrasjes së George Floydit, le të ndërtojmë mbi progresin që kemi bërë deri tani dhe të ripërkushtohemi për punën që duhet të vazhdojmë të bëjmë çdo ditë për të ndryshuar zemrat dhe mendjet, si dhe ligjet dhe politikat”.
“Si komb, mund të sigurohemi që trashëgimia e George Floydit dhe trashëgimia e shumë të tjerëve që ne gjithashtu nderojmë çdo ditë nuk kanë të bëjnë vetëm me vdekjen e tyre, por me atë që ne bëjmë për të nderuar kujtimin e tyre”, shtoi ai.
Floyd, 46 vjeç, vdiq më 25 maj 2020, pasi polici Derek Chauvin, 46 vjeç, shtrëngoi me gju qafën e Floydit edhe pse ai vazhdimisht thoshte se nuk mund të merrte frymë.
Vrasja 9-minutëshe u kap në video dhe ndezi protesta në gjithë vendin për brutalitetin e policisë dhe padrejtësinë racore, pasi autori ishte i bardhë.
Biden kujtoi se vajza e vogël e Floydit, Gianna, i kishte thënë atij një ditë para funeralit të babait të saj se “Babi ndryshoi botën”.
“Tre vjet pas vrasjes së babait të saj, përgjigja ime ndaj Giannas mbetet e njëjtë: Po, e ka ndryshuar”, shtoi Biden.
“Vrasja e George Floydit ekspozoi për shumë njerëz atë që komunitetet me ngjyrë e kanë njohur dhe përjetuar prej kohësh – që ne duhet të bëjmë një angazhim të tërë të shoqërisë për të siguruar që kombi ynë të përmbushë premtimin e tij të themelimit për drejtësi të barabartë dhe të paanshme për të gjithë para ligjit”, shkroi ai.
“Padrejtësia e shfaqur para botës ndezi një nga lëvizjet më të mëdha të të drejtave civile ndër breza – me thirrje nga të gjitha anët për të pranuar dhe trajtuar sfidat në sistemin tonë të drejtësisë penale dhe në institucionet tona më gjerësisht”.