Në takimin e Brukselit, ministrja e Jashtme shqiptare këmbënguli, se çështja Beleri është vetëm çështje penale. Prokurorët e SPAK-ut i konsideruan bindëse provat që konfirmojë se Fredi Beleri ka blerë vota për 14 majin, duke bërë që drejtësia shqiptare t’i lexojë faktet njëlloj. Beleri mbeti ne burg. Kjo bëri që këtë të martë pasdite përpara ambasadës shqiptarë në Athinë të protestohet nga mbrojtës të kreut himariot të Bashkisë.
Por agresiviteti mbetet vetëm në protesta. Pas të dielës dhe zgjedhjeve që e rikonfirmuan në pushtet, qeveria e Micotakis duket e kujdesshme, që të mos lërë gjurmë, përtej retorikës verbale. Përpara të dielës, teksa qeveria atje ishte në ankthin e votave, lëvizjet diplomatike në Shqipëri ishin aktive.
Ambasadorja greke i shkoi disa herë në qeli Belerit, ndërsa diplomatët nuk munguan në gjyqin e parë që u bë në Vlorë. Por pak ditë më vonë, të hënën, një ditë pas zgjedhjeve, ata munguan në gjyqin në Tiranë. Mungoi edhe Vangjel Dule, i cili në shqip dhe ne greqisht kërcënoi disa herë qeverinë se çështje Beleri do të ndërkombëtarizohej.
Mesazhet e tij bënin jehonë në Athinë me Mitsotakis që thoshte se do të njoftonte shefen e BE-së për këtë sulm ndaj minoritetit grek në Shqipëri, e deri tek Dendias që lajmëronte se do t’i kërkonte llogari Xhackës në Bruksel. Por takimi i të hënës ne kryeqytetin europian i gjeti palët më të relaksuara.
Edi Rama që i kishte kaluar zgjedhjet e veta i monitoroi fqinjët me qetësi, duke thënë se ky reagim i paarsyeshëm lidhej me zgjedhjet në Greqi.
Zhvillimet me pas i dhamë të drejtë.
Të hënën, Fredi Beleri u la sërish në burg nga Gjykata Speciale në kryeqytet, por kësaj radhë gjyqi i kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës u ndoq vetëm nga avokatët e tij ligjore.
Ndërkohë me gjithë retorikat e ashpra publike, Abc Nees ka mësuar se ne planin diplomatik, raportet mes dy vendeve janë aty ku ishin edhe para arrestimit te Belerit.
Ministrisë sonë të jashtme nuk i është përcjellë ndonjë notë verbale a proteste, akte të njohura këto në diplomaci për t’i bërë zyrtare, pakënaqësitë verbale.
Madje as ambasadorja jonë në Athinë nuk është thirrur nga qeveria greke për t’i shprehur revoltën që politikanët artikulonin në komunikime publike.
Xhaçka e Dendias u takuan në Bruksel, por nuk i nxorën shpatat njëri-tjetrit. Përkundrazi. Ministrja jonë tha se Beleri është i barabartë përpara ligjit si çdo shtetas tjetër shqiptar, ndërsa ministri grek u kujdes të theksonte se çeshtja Beleri, nuk ishte çështja e vetme qe dy kryediplomatët kishin diskutuar.
Pyetja është: Çfarë ndryshoi pas të dielës, që çështja Beleri nuk ishte me e vetmja teme diskutimi mes Athinës e Tiranës? Greqia u bind nga Xhaçka se ligji është i barabartë për të gjithë, apo, pas etheve elektorale, qeveria helene e pa më ftohtë çështjen e arrestimit te tij? Apo ndoshta diku u panë më qartë provat e blerjes së votës në Himarë?
Burime policore pohojnë se arrestimi i Fredi Belerit nuk u bë në flagrancë, megjithëse procesi i marrjes së provave me video dhe audio u bë me nje eperson të inflitruar. Nga ky moment, përtej retorikës publike të ashpërsuar nga zgjedhjet në të dyja vendet, kanalet diplomatike kanë punuar me kujdes për të menaxhuar këtë patate të nxehtë mes Tiranës dhe Athines. Duke mos dëmtuar raportet mes dy vendeve dhe duke ja lënë edhe këtë çeshtje, si çeshtjen e detit, drejtësisë dhe gjykatave.