Pence “kundër” Trump

schedule21:39 - 2 Shtator, 2019

schedule 21:39 - 2 Shtator, 2019

Nga Varshava, ku ndodhet për një vizitë zyrtare, zëvendës presidenti amerikan Mike Pence u ka bërë thirrje vendeve aleate që të bëjnë kujdes nga Rusia. Deklarata e tij ka rënë ndesh me qëndrimin e presidentit Trump, që në samitin e G7-s shprehu dëshirën për ta rikthyer Rusinë në radhët e grupit.

Zëvendëspresidenti amerikan Mike Pence u ka bërë thirrje vendeve aleate që të qëndrojnë vigjilentë ndaj ambicieve të Moskës për të ndërhyrë në proceset zgjedhore dhe u ka kërkuar atyre që të reduktojnë vartësinë energjitike prej saj.

Deklarata e Pence erdhi nga Varshava, pak ditë pasi presidenti Donald Trump shprehu dëshirën e tij për të rifutur Rusinë në grupimin G7, të vendeve më të industrializuara të botës.

“Duke parë përpjekjet e saj për të ndërhyrë në zgjedhjet e vendeve të ndryshme në mbarë botën mendoj se duhet të mbetemi vigjilentë”, ka thënë Pence në një konferencë të përbashkët me presidentin polak Andrej Duda.

Ky i fundit ka theksuar se veprimet e Moskës në Ukrainë kanë vënë në dyshim nëse marrëdhëniet me Rusinë duhen kthyer si më parë.

“Për fat të keq, në vitet e fundit Rusia ka ndërmarrë hapa që nuk mund të injorohen nga askush që respekton ligjin ndërkombëtar”, ka thënë Duda.

Polonia është një nga aleatët më të ngushtë të Shteteve të bashkuara në Europë dhe në këmbim të mbështetjes ushtarake mban qëndrim të njëjtë me to për një sërë çështjesh si ndryshimet e klimës, energjia dhe aborti.

Administrata amerikane ka rënë dakord për të rritur praninë e saj ushtarake në territorin polak për shkak të shqetësimit nga Rusia pas aneksimit të Krimesë në vitin 2014./ABC News Albania 24/7