Rusia sulmon ashpër Kievin, ushtria ukrainase rrëzon raketat

schedule14:57 - 16 Maj, 2023

schedule 14:57 - 16 Maj, 2023

Në orët e para të së martës, Rusia nisi një sulm të ashpër ajror kundër Kievit, duke lëshuar dronë dhe raketa nga deti dhe toka, thanë zyrtarët e kryeqytetit ukrainas.

Materiali në vazhdim sjell reagimet e banorëve dhe më shumë hollësi mbi sulmin që shkaktoi vetëm dëme materiale, sepse ushtria ukrainase arriti ta frenojë atë.

Shpërthime të forta u dëgjuan në Kiev, pas një sulmi të ashpër të forcave ruse, por që u pengua nga mbrojtja ajrore e Ukrainës. Nuk ka njoftime për viktima.

Forcat Ajrore të Ukrainës thanë se Rusia sulmoi me 18 raketa të llojeve të ndryshme, përfshirë dronë, raketa që lëshohen nga deti dhe raketa balistike, por që të gjitha u goditën dhe u frenuan.

Sipas Forcave Ajrore Rusia vuri në shënjestër kryeqytetin me gjashtë raketa balistike të tipit “Kinzhal” që u lëshuan nga një avion MiG-31K, nëntë raketa që u lëshuan nga një luftanije në Detin e Zi dhe tre raketa tokësore S-400.

Pas sulmit të parë, Rusia aktivizoi edhe dronët sulmues “Shahed” të prodhuar nga Irani.

“Të gjithë shokët e mi e dëgjuan sulmin. Të gjithë janë shqetësuar. Copëzat e njërës raketë ranë pranë shtëpisë së shokut tim të klasës. Është gjendje shumë e keqe”, thotë Heorhii Pirveli, banor i Kievit.

“Ndjej dhimbje, frikë, nervozizëm, shqetësim. Presim që të fitojmë, kur e gjitha kjo të përfundojë”, thotë Valentyna Myronets, banore e Kievit.

Administrata ushtarake e Kievit tha se sulmi ishte i pashembullt, me numrin më të lartë të raketave sulmuese brenda periudhës më të shkurtër kohore.

Kjo është hera e tretë këtë muaj që Rusia sulmon kryeqytetin, një përshkallëzim pas disa javësh qetësie dhe para një kundërofensive të planifikuar ukrainase./VOA

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!