Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian do të mbajë më 2 shtator një sesion për vendet e Ballkanit Perëndimor dhe ambicjet e tyre europiane. Të pranishëm në këtë event do të jenë edhe ish-personalitete të njohura politike të vendeve anëtare të BE-së.
Një përbërje e pahasur më parë ajo e komisionit të punëve të jashtme të Parlamentit Europian, që fillon punimet javën e ardhshme me fokus edhe mbi zgjerimin e Bashkimit Europian me Ballkanin Perëndimor. Personalitete politike europiane që kanë mbajtur poste të larta në vendet e tyre kanë zgjedhur të jenë pjesë e këtij komisioni. Midis tyre renditen ish-kryeministri italian, Silvio Berluskoni, ish-presidenti i Rumanisë, Traian Basesku, ish-ministrja franceze për integrimin, Nathalie Loizë, ish-ministrja belge për funksionin publik, Maria Arena, ish-ministri i jashtëm polak, Vitold Jan Vazczikovski. Në postin e kryetarit të komisionit të punëve të jashtme është për herë të dytë David MekAllister, që për shqiptarët është i njohur nga platforma “MekAllister plus”, e arritur midis kryeministrit Edi Rama dhe kryetarit të opozitës, Lulzim Basha në vitin 2017. Ndërkohë që eurodeputetët aktivë për Ballkanin Perëndimor gjatë lesgjislacionit të mëparëshëm janë reduktuar dukshëm. Mbeten sllovenja Tanja Fajon, italani Fabio Massimo Castaldo, kroati Tonino Picula dhe bullgarët Ilhan Hujçujk dhe Sergei Stanishev. Komisioni i punëve të jashtme fillon punimet e tij në 2 shtator me një program të ngjeshur ku përfshihet edhe diskutimi mbi hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Europian. /ABC News Albania 24/7