Conte: Vullnet pozitiv për formimin e qeverisë

schedule14:25 - 1 Shtator, 2019

schedule 14:25 - 1 Shtator, 2019

Kryeministri i Italisë, Xhuzepe Konte është shprehur optimist se Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike do të gjejnë gjuhën e përbashkët për formimin e qeverisë. Në një fjalim të mbajtur ditën e diel, Konte ka theksuar se sfida kryesore e kabinetit të ri do të jenë reformat për të ardhmen e vendit.

Kryeministri në detyrë i Italisë, Xhuzepe Konte ka deklaruar të dielën se vendi ka shanse serioze për krijimin e një qeverie të re dhe rrjedhimisht shmangien e zgjedhjeve të parakohshme.

“Shoh një klimë të mirë pune dhe nga ky këndvështrim jam mëse i bindur se të gjithë janë të gatshëm të lënë pas të shkuarën dhe të fokusohen tek ky projekt i rëndësishëm për të gjithë vendin”, ka thënë Konte. Konte ka theksuar se nuk mendon më për marrëdhënien me ish-zëvendësin e tij Mateo Salvini, i cili e ka akuzuar se përfaqëson pushtetet e forta të Italisë dhe jo interesin e qytetarëve italianë. “Aktualisht mendoj vetëm për të ardhmen”, ka vijuar Konte.

Ai ka komentuar edhe programin e propozuar nga demokratët, për të cilin ka thënë se përfaqëson sfidat me të cilat përballet vendi. “Ky program do të thotë të nisim një sezon reformash për vendin, të vëmë në plan të parë vizionin për një ekonomi të qëndrueshme”, ka thënë Konte.

Ai ka shtuar se palët nuk premtojnë gjëra stratosferike, por gjëra që duheshin bërë më parë por që janë anashkaluar. “Tani është koha t’i bëjmë me vendosmëri maksimale. Kjo është sfida e vërtetë”, ka shtuar Konte. Aktualisht në Itali, Lëvizja 5 Yjet dhe Partia Demokratike janë në negociata për formimin e qeverisë së re. shanset janë pozitive, por vetëm dy ditë më parë, 5 Yjet vendosën si kusht miratimin e programit të saj qeverisës, ose shkuarjen në zgjedhje të parakohshme. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!