Kreu i PBDNJ-së, Vangjel Dule ka folur për mediat pas vendimit të gjykatës së Vlorës për të lënë në burg Fredi Belerin, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Himarë nën akuzën e shitblerjes së votave. Dule e cilësoi procesin gjyqësor ndaj Belerit një parodi duke shtuar se për këtë do të ‘flasë’ vota e nesërme.
“Jemi dëshmitar të një procesi parodi në të gjitha fazat e tij. Është një proces i projektuar dhe motivuar dhe i ekzekutuar drejtpërsëdrejti nën urdhrat e Edi Ramës. Rezultati tashmë dihet.
Pengmarrja e Belerit vazhdon por askush nuk duhet të ketë as më të voglin iluzion se ndërsa Rama vazhdon ta mbajë peng, do ta lirojë në mënyrë triumfale vota e nesërme e himarjotëve nga Palasa në Qeparo dhe nga lumi i Vlorës në Himarë. “, tha Dule.
Arrestimi i Belerit u bë me urdhër të Prokurorisë së Vlorës pas një procedimi të nisur për veprën korrupsion aktiv në zgjedhje në bashkëpunim. Beleri u ndalua në lokalin e tij në shëtitoren e Himarës. Ai ndodhej bashkë me tre persona të tjerë, mes të cilëve edhe avokati i tij.
Bashkë me Belerin u vu në pranga edhe Pano Kokoveshi, njëri prej shoqëruesve të kandidatit për kryetar bashkie në Himarë. /abcnews.al