Sëmundja hemorragjike epizootike, e cila mund të jetë fatale tek gjedhët, është identifikuar për herë të parë në Evropë, tha të premten agjencia franceze e shëndetësisë Anses.
Sëmundja nuk është e transmetueshme te njerëzit.
Agjencia vë në dukje se në kontinent ka mbërritur një specie mushkonjash përmes së cilës transmetohet virusi, kjo është “pasojë e ndryshimeve klimatike”.
Rastet e para të sëmundjes virale u zbuluan në vjeshtën e vitit 2022 në Sardenjë dhe më pas në Siçili, sipas Anses. Më pas raste të tjera të sëmundjes vdekjeprurëse u identifikuan në Andalucia, Spanjën jugore.
“Tek gjedhët, sëmundja potencialisht fatale shkakton ethe, anoreksi, çalim dhe shqetësime në frymëmarrje”, tha agjencia franceze. Sëmundja hemorragjike epizootike u regjistrua për herë të parë në vitin 1955 në dre në Virxhinia, SHBA. Në vitet në vijim virusi u përhap në Azi, Australi dhe Afrikë.
“15 vjet më parë nuk e imagjinonim që sëmundja mund të arrinte një ditë në Evropë”, shpjegoi studiuesi Stefan Ziedara. “Përhapja e saj është një pasojë e drejtpërdrejtë e ndryshimit të klimës që lejon mushkonjat vektore të mbijetojnë në zonat (evropiane),” shtoi ai.
Hipoteza më e mundshme është se mushkonjat kaluan Mesdheun të transportuar nga era.
Deri më tani nuk ka asnjë vaksinë për virusin. /abcnews.al