Me 6 fitore radhazi dhe me vetëm 1 gol të pësuar në këto përballje, tekniku i “zikaltërve” të Inter, Simone Inzaghi duket se i është përgjigjur në mënyrën më të mirë të mundshme kritikave, teksa tashmë ka arritur finalen e Kupës së Italisë, ndodhet në vendin e 4-rt në Serie A, si dhe është më “një këmbë” në finalen e madhe të UEFA Champions League.
Mirëpo, edhe pse pati gjithë këto arritje në një kohë tepër të shkurtër, bordi i Inter sërish ka vendosur të mos i ofrojë një rinovim të kontratës, teknikut italian, të paktën deri në këto momente.
Sipas mediave italiane, Presidenti Zhang duhet të mendojë seriozisht për t’i ofruar 47-vjeçarit, një zgjatje kontrate, sidomos nëse ky i fundit arrin finalen e madhe të 10 qershorit, megjithatë bordi “zikaltër”, duket të jetë i “shurdhër” nga ky aspekt dhe deri më tani asgjë nuk ka ndryshuar, duke e lënë kontratën ashtu siç është, të skadojë në vitin 2024. /i.m /abcnews.al