“Opozita nuk po tregon frymë për ndryshim”, Nazarko: Mund të ketë rënie të pjesëmarrjes në zgjedhje

schedule11:43 - 12 Maj, 2023

schedule 11:43 - 12 Maj, 2023

Gjatë intervistës për “Tirana Live” në ABC News me gazetaren Elisa Gjerani, analisti Mentor Nazarko tha se opozita nuk e ka fuqinë menaxheriale dhe frymën për ndryshim për të arritur objektivat e saj në zgjedhje. Sipas analistit, dyshja Meta-Berisha kanë për qëllim që të shmangin një humbje turpëruese.

“I pyetur në lidhje me deklarimin e Ramës se do fitojnë 50 bashki, Nazarko tha se “Rama i parapriu një deklarimi të tillë duke pohuar që nuk është normale një parti të shpallë se nuk kam hyrë për të fituar të gjitha bashkitë. Ndaj duket si përfundim që duhet marrë me rezervë por do të duhet kuptuar se prania në fushën e lojës të PD zyrtare, tek tuk edhe të partive të vogla të reja, që përfaqësojnë ndjeshmëri të caktuara të votuesit gri ashtu si edhe një fushatë e dobët e dyshes Berisha-Meta; mungesa e mbështetjes së fuqive të forta në një gare politike si komuniteti i biznesit (që shpeshherë është përcaktues në fitoren e njërës palë apo tjetrës, ) apo komuniteteve fetare, – janë disa faktorë që bëjnë të mos shihet dhe ndihet një orientim masiv që do të krijonte frymë në favor të ardhjes së opozitës në pushtet në bashkitë e vendit. Mungesa e një modeli të suksesshëm menaxherial të së djathtës, -e djathta nuk arriti të afirmohet në krye të bashkive – është faktor gjithashtu i rëndësishëm. si element që përcakton mungesën e frymës së ndryshimit. Natyrisht palët brenda vetes kanë objektiva që nuk i shpalllin. Dyshja që është strehuar në çadrën juridike te Metës duket sikur ka objektivin të shmangë një humbje turpëruese, të rrisë përfaqësimin në këshilla bashkiakë, të tentojë surprizën në disa bashki me projekte të mëdha siç është Durrësi dhe Elbasani, të konfirmojë rezultatin në Shkodër,” tha analisti.

Më tej, ai shtoi se mund të ketë një rënie të pjesëmarrjes në zgjedhje.

“Shqipëria përgjithësisht ka pasur pjesëmarrje të lartë në votime, deri në 75 përqind ndoshta mund të ketë një rënie nën 70 përqind që vjen edhe për shkak të zhgënjimit për qeverisjen qendrore por edhe fakti që disa figura që konfirmohen në disa qytete të caktuara nuk kanë krijuar profilin e tyre të identifikueshëm qartë.“, shtoi Nazarko./abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!