Me qëllim vënien nën kontroll të situatës në Amazonë, qeveria braziliane ka marrë një masë që ndalon vendosjen e zjarreve për të pastruar tokën, një praktikë kjo e përdorur nga fermerët. Por ambientalistët shprehen skeptikë, duke deklaruar se masa në fjalë do të ketë efekte minimale.
Autoritetet në Brazil kanë marrë një masë që ndalon për të paktën 60 ditë vendosjen e zjarreve për të pastruar tokën, si kundërpërgjigje ndaj zjarreve që kanë përfshirë Amazonën. Dekreti është firmosur nga presidenti Bolsonaro, i cili është përballur me kritika të shumta në vendin e tij por edhe nga jashtë për dështim në mbrojtjen e masivit pyjor. Sidoqoftë, mbetet i paqartë impakti që dekreti i presidentit do të ketë, pasi sipas ambjentalistëve, vendosja e zjarreve për të pastruar tokën është e paligjshme në Brazil dhe kontrollet për parandalimin e tyre janë të pakëta. Gjithashtu, kanë paralajmëruar ata, më e keqja për Amazonën nuk ka ardhur ende. Masivi i Amazonës ka regjistruar mbi 80 mijë zjarre që nga fillimi i vitit, një rritje me 77 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Ambjentalistët deklarojnë se rritja është pasojë e politikave të ndërmarra nga administrata e presidentit Bolsonaro. Ndërkohë, prokurorët kanë kryer hetime mbi dyshimet se disa zjarre kanë qenë të qëllimshme. Megjithatë, masa e miratuar nga presidenti bën përjashtime në tre raste: kur vendosja e zjarreve është e autorizuar nga autoritetet përgjegjëse për arsye që lidhen me shëndetin e planetit; kur shërbejnë si masë parandaluese për sëmundjen e tokës; dhe kur është pjesë e praktikave të popullsisë indigjene për nxitjen e agrikulturës. Ndërkohë, javën e ardhshme vendet e Amerikës së Jugut do të takohen për të diskutuar hartimin e një plani më konkret për t’iu përgjigjur krizës. /ABC News Albania 24/7