Sot është kurorëzuar mbreti Karl dhe mbretëresha Kamila, në një ceremoni që filloi në orën 12:00. Mbi 2 mijë persona nga 203 vende të botës kanë marrë pjesë në ceremoninë e kurorëzimit, ndërsa të shumtë kanë qënë liderët që i kanë uruar.
Presidenti i SHBA-së Joe Biden uroi Mbretin dhe Mbretëreshën, duke vënë në dukje “miqësinë e qëndrueshme” midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Shteteve të Bashkuara në një postim në Twitter.
Presidenti i Këshillit Europian Charles Michel shprehu “urimet e tij më të mira” për Mbretin Karl III dhe Mbretëreshën Kamila, duke shtuar se Këshilli vlerëson përkushtimin e Mbretit ndaj përpjekjeve mjedisore.
Ministri i Jashtëm irlandez, Micheál Martin uroi Mbretin dhe Mbretëreshën për Ditën e Kurorëzimit, “një ditë shumë e rëndësishme për shumë njerëz.”
“Ne do të vazhdojmë të punojmë në mbështetje të miqësisë midis popujve tanë dhe lidhjeve të forta që ndajmë,” tha ai.
Kryeministrja italiane Giorgia Meloni shkroi në TWitter në italisht:
“Mozaiku i lashtë Cosmatesque në Westminster Abbey, mbi të cilin sot u vendos froni për kurorëzimin e mbretit Charles III, u krijua me mjeshtëri nga mjeshtrit italianë rreth tetë shekuj më parë.”
“Sot është ende atje për të mahnitur botën dhe për të treguar historinë e bashkëpunimit historik dhe të frytshëm midis Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuar, për të cilin jemi të sigurt me Mbretin Karl III, i cili kujtoi edhe një herë se sa e do Italinë dhe se si do të forcohet kjo marrëdhënie, siç kemi filluar të bëjmë tashmë me kryeministrin Rishi Sunak”, tha ajo.
“Urimet e mia më të mira për Mbretin Karl III, Mbretëreshën Kamila dhe gjithë popullin britanik”, përfundoi ajo.
Presidenti i Zvicrës Alain Berset shprehu “urimet më të mira për një mbretërim të gjatë dhe të lumtur, në një postim në Twitter .
Ministrja e Jashtme franceze Catherine Colonna shkroi në Twitter : “Zot ruaj Mbretin”
/abcnews.al