Kryeministri me mandat teknik në Malin e Zi, Dritan Abazoviç thotë se partia e drejtuar prej tij, URA është e gatshme për zgjedhjet e ardhshme parlamentare, që do të mbahen më 11 qershor.
Abazoviç u shpreh se qeveria e tij i ka mbajtur premtimet dhe shtoi se Mali i Zi është në rrugën e duhur drejt integrimit në Bashkimin Evropian, shkruan Vijesti.
“Zgjedhjet me gjasë do të mbahen më 11 qershor, por kjo nuk është çështje për mua. Më e rëndësishmja është që të gjithë të demaskohen. Ne i kemi realizuar të gjitha premtimet. Mendoj se qytetarët e vlerësojnë këtë. Sa i përket listës zgjedhore, aty kanë mbetur ende disa gjëra rreth asaj që unë mbështes të ketë një bllok të madh centrist. Në zgjedhjet e mëparshme, ne ishim pjesë e listës ‘Black on White’, dhe kjo tani është një vazhdimësi e këtij koncepti qytetar”, theksoi ai.
Sipas Abazoviçit, Mali i Zi duhet të bëhet pjesë e nismave rajonale, duke iu referuar edhe Ballkanit të Hapur.
“Nuk ka më monopole politike. Kur është fjala për Ballkanin e Hapur, qëndrimi im dihet – mendoj se Mali i Zi duhet të jetë pjesë e nismave rajonale”, nënvizoi kryeministri./abcnews.al