Kurti në Samitin e Paqes në Seul: Kosova po bën më të mirën për paqe dhe siguri

schedule20:35 - 4 Maj, 2023

schedule 20:35 - 4 Maj, 2023

Me ftesë të Federatës së Paqes Universale (UFP), kryeministri i Kosovës, Albin Kurti po merr pjesë në Samitin e Paqes 2023 që po mbahet në kryeqytetin e Koresë së Jugut, Seul.

“Sfidat Bashkëkohore të Rendit Botëror: Drejt një Kulture Botërore të Paqes” është titulli i samitit në këtë vit. Kryeministri Kurti sot gjatë ditës së parë ishte pjesëmarrës në dy panele diskutimi.

Kryeministri Kurti ka thënë se Kosova po e bënë më të mirën e saj që të ketë paqe dhe siguri, liri dhe demokraci.

Kurti ka prezantuar të arriturat kryesore të qeverisjes, me theks te zhvillimi dhe lufta kundër korrupsionit.

“Kosova po e bënë më të mirën e saj që në njërën anë të kemi paqe dhe siguri, dhe në anën tjetër të kemi liri dhe demokraci, pa pasur nevojë që të sakrifikojmë njërën për tjetrën. Veçoi rritjen ekonomike mesatare në dy vitet e fundit, rritjen e të hyrave tatimore, të eksporteve dhe investimeve të huaja direkte, dhe përparimin demokratik, si dëshmi se demokracia cilësore dhe zhvillimi ekonomik mund të shkojnë krah për krah. Në të kaluarën kemi parë raste të favorizimit të stabilitetit politik para reformave demokratike, gjë që si rezultat ka prodhuar autokratë që i frikësohen vetes teksa janë cinik ndaj të tjerë. Një gabim i tillë nuk duhet të përsëritet, u shpreh kryeministri Kurti thuhet në njoftimin e Qeverisë.

Në njoftimin thuhet se në sesionin e paradites, të titulluar “Drejt paqes në Indo-Pacifik”, ku ndër të tjerë ishin pjesëmarrës edhe ish-sekretari i Shtetit, Mike Pompeo dhe ish-Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Neët Gingrich, Kurti iu drejtua të pranishmëve me një fjalë hyrëse në cilën u shpreh falënderues për ftesën dhe për mundësinë për të qenë pjesë e këtij samiti, veçanërisht në një kohë që çdo herë e më shumë po bëhet e qartë se vetëm paqja universale është paqe e qëndrueshme.

Po ashtu Kurti ka veçuar dy trende që po dominojnë botën sot; liria, paqja dhe demokracia në njërën anë, dhe invazioni, lufta dhe autokracia në anën tjetër.

“Trende këto që janë shpërfaqur sidomos pas invazionit dhe agresionit rus në Ukrainë, dhe të cilat janë të pranishme edhe në rajoni indo-pacifik”.

Republika e Kosovës, u shpreh kryeministri Kurti, mbështetë zhvillimet paqësore në këtë rajon, duke theksuar se respektimi i integritet territorial, paqes dhe sigurisë janë vitale për paqe dhe prosperitet në botë.

Ai shtoi se Kosova admiron të arriturat e Koresë Jugore, Japonisë, Singaporit dhe Taivanit në fushën e digjitalizimit, teksa tha se kemi marrëdhënie të shkëlqyeshme me shtetet tjera si Australia, Zelanda e Re, Tailanda, Malajzia e pothuajse me të gjithë Ishujt Pacifik.

Ai po ashtu foli edhe për rolin dhe qëndrimet e Kosovës në arenën ndërkombëtare, duke theksuar këtu linjëzimin e qëndrimeve dhe politikave me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian në kundërpërgjigjen e përbashkët ndaj Rusisë pas agresionit të saj mbi Ukrainën, dhe për ndihmën që Kosova ka ofruar për qytetarët ukrainas, sikurse edhe për ata afganë.

“Si demokraci e re, ne e konsiderojmë obligim humanitar që t’i ndihmojnë ata që kanë më së shumti nevojë, por në të njejtën kohë edhe detyrë ndaj partnerëve dhe aleatëve tanë që t’i ndihmojë kur ata kanë nevojë, u shpreh kryeministri Kurti, thuhet në njoftim./Kosovapress

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!