Në luftën civile në Siri janë vrarë 715 gazetarë

schedule08:22 - 4 Maj, 2023

schedule 08:22 - 4 Maj, 2023

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njoftoi se 715 persona që punonin në organizata mediatike u vranë në luftën civile që la pas vitin e saj të 12-të. Duke dokumentuar shkeljet e të drejtave kundër civilëve në Siri, SNHR publikoi një raport me rastin e 3 Majit, Ditës Botërore të Lirisë së Shtypit.

Sipas raportit, gjithsej 715 persona, përfshirë 6 gra dhe 9 të huaj që punonin në media, janë vrarë që nga marsi i vitit 2011, kur filloi lufta civile. Regjimi i Bashar al-Assadit dhe grupet e huaja terroriste të mbështetura nga Irani vranë gjithsej 553 punonjës të medias, duke përfshirë 5 të huaj dhe 1 grua, gjatë kësaj periudhe.

Ndërkohë, 24 përfaqësues të shtypit humbën jetën në sulmet ajrore të Rusisë, e cila është mbështetëse e regjimit të Assadit. Gjatë luftës civile, organizata terroriste DAESH vrau gjithsej 64 punonjës të shtypit, 3 prej të cilëve të huaj dhe 2 gra.

Terroristët e PKK/YPG-së vranë 4 anëtarë të shtypit, ndërsa kundërshtarët ushtarakë dhe grupe të armatosura kundër regjimit vranë 34 punonjës të shtypit, 3 prej tyre gra. Në sulmet e koalicionit ndërkombëtar kundër DAESH-it humbi jetën një punonjës i shtypit, ndërsa 35 punonjës të shtypit, mes tyre një i huaj, u vranë nga grupe të paidentifikuara, raporton Anadolu Agency.

1.309 anëtarë të medias në pritje të lirisë

Në raport, ku thuhet se 1.309 persona që punojnë në fushën e medias janë arrestuar që nga fillimi i luftës civile në Siri, theksohet se nuk mund të merrej asnjë lajm nga gjithsej 471 anëtarë të shtypit, 9 prej të cilëve ishin gra dhe 17 ishin të huaj. Gjithashtu bëhet thirrje për t’i dhënë fund sulmeve ndaj punonjësve të medias dhe lirimin e të arrestuarve.

Janë vrarë 4 punonjës të medias që i shërbenin Anadolu-s

Me fillimin e luftës civile në Siri, 4 punonjës të medias që punonin për Anadolu dhe ofronin shërbime informacioni dhe vizuale humbën jetën si pasojë e sulmeve të palëve të ndryshme. Gazetari i Anadolu-s, Salih Mahmud Leyla, humbi jetën në një sulm terrorist të kryer nga DEASH me një auto-bombë në vitin 2015.

Vesim al-Adil, një gazetar i pavarur që ofronte shërbime fotografike për Anadolu në provincën Idlib në veriperëndim të Sirisë, vdiq më 23 shtator 2015, kur shrapnelë goditën trupin e tij në një sulm nga avionët rusë në qytetin Binin.

Gazetari i pavarur i Anadolu-s, Majid Dirani, vdiq më 19 shkurt 2016, kur shrapnelë goditën trupin e tij gjatë të shtënave me armë nga një tank, ndërsa po përpiqej të kapte momentin e sulmit nga forcat e Assadit në lagjen Dareyya të kryeqytetit Damask. Enes Diyab, 22-vjeçar, i cili ishte gjithashtu një gazetar i pavarur për Anadolu në Siri, vdiq më 21 korrik 2019, ndërsa filmonte në Idlib një sulm ajror të Rusisë, mbështetëse e regjimit të Assadit.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!