Mendoni për fjalët që rrotullohen në kokën tuaj, një shaka, përshtypja që ju ka lënë partneri i ri i mikut tuaj më të mirë. Tani imagjinoni që dikush mund të lexojë mendjen tuaj.
Të hënën, shkencëtarët nga Universiteti i Teksasit në Austin ndërmorën një hap në atë drejtim. Në një studim të botuar në revistën Nature Neuroscience, studiuesit përshkruan një model të inteligjencës artificiale që mund të përkthente mendimet e njerëzve duke analizuar skanimet fMRI ( Functional Magnetic Resonance Imaging), të cilat matin rrjedhën e gjakut në zona të ndryshme të trurit.
Deri më sot, studiuesit, duke u mbështetur në implantet, kanë zhvilluar modele dekodimi për ata që kanë humbur aftësinë për të folur dhe njerëzit që nuk mund të shkruajnë.
Në një kuptim themelor, tha Shinji Nishimoto, një neuroshkencëtar në Universitetin e Osakës, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim, “aktiviteti i trurit është një lloj sinjali i koduar dhe modelet gjuhësore ofrojnë mënyra për ta deshifruar atë.”
Por dekoderi i ri i gjuhës është një nga të parët që nuk mbështetet te implantet. Në studim, AI në gjendje ta kthente mendimin në një formë të të folurit.
Studimi u fokusua në tre pjesëmarrës, të cilët erdhën në laborator për të dëgjuar podkaste. Ndërsa dëgjuan, një skaner fMRI regjistroi nivelet e oksigjenimit të gjakut në pjesë të trurit të tyre. Studiuesit më pas përdorën një model të madh gjuhësor për të përshtatur modelet e aktivitetit të trurit me fjalët dhe frazat që pjesëmarrësit kishin dëgjuar.
Shkencëtarët i përkthyen skanimet fMRI në fjalë dhe fraza.
Rezultati sugjeron që dekoderi i AI-së po regjistronte jo vetëm fjalë, por edhe kuptime. “Perceptimi i gjuhës është një proces i drejtuar nga jashtë, ndërsa imagjinata është një proces i brendshëm aktiv”, tha Dr. Nishimoto.
Megjithatë, kjo metodë e deshifrimit të gjuhës kishte kufizimet e saj. Së pari, skanerët fMRI janë të rëndë dhe të shtrenjtë. Përveç kësaj, pjesëmarrësit në eksperiment ishin në gjendje të shpërqendronin dekoderin duke menduar për gjëra të tjera.
AI mund të jetë në gjendje të lexojë mendjet tona, por tani për tani do të duhet ta lexojë atë fjalë për fjalë dhe me lejen tonë.