Sipas analizës së Deutsche Welle për samitin e G7-ës të mbajtur fundjavën e kaluar në Francë, presidenti Emmanuel Macron u tregua mjeshtër i diplomacisë duke e mënjanuar me një manovër të zgjuar presidentin Trump. Me këtë ai merr rolin drejtues në Europë.
Presidenti francez, Emmanuel Macron investoi shumë punë e kapital politik, me qëllim që samiti i G7-s në Biarritz të mos dështonte plotësisht. Ai ftoi politikanë të paplanifikuar dhe vendosi tema të tjera në axhendën e ditës, për të thyer këtë format të skematizuar.
Kështu nis analiza e Deutsche Welle për atë që ndodhi fundjavën e kaluar në samitin e G7-ës në Francë. Sipas kësaj analize Macron ia doli vërtet të nxjerrë jashtë loje, Donald Trump, presidentin kokëfortë dhe gjithmonë kundër në politikën e Iranit.
E ky nuk është sukses i vogël, sepse Donald Trump u tregua në Biarritz edhe një herë si mik i keq, që e shihte si shaka të çorientonte mediat dhe vëzhguesit me politikën e tij tregtare. Nga ana tjetër ai ankohej për mediat që raportonin, se ka tensione në samit.
Presidenti francez ftoi ministrin e Jashtëm iranian, Mohamed Dzhavad Sarif si të ftuar surprizë dhe filloi në kuadër të takimit një iniciativë diplomatike. E ai e bëri këtë nën hundën e Donald Trump, që reagoi me zemërim dhe theksoi, se linja e ashpër e SHBA është strategjia e vetme e duhur. Macron nuk u impresionua shumë nga kjo, dhe u takua personalisht me Sarif për të parë mundësitë diplomatike për zgjidhje të reja.
Edhe për djegiet e pyjeve në Amazona, Macron gjeti levën e duhur. Ai kërcënoi në fillim presidentin brazilian, Bolsonaro me mosratifikimin e marrëveshjes së tregtisë së lirë të BE me vendet amerikano-latine, nëse ai nuk do të ndalte zjarrvënien në mushkërinë e gjelbër të planetit. E në samit ai arriti të merrte premtime nga pjesëmarrësit e tjerë, që t’i ofronin Brazilit e vendeve të tjera përreth ndihma konkrete në shuarjen e zjarreve.
Përkundër kësaj, Gjermania nuk po bën një figurë të mirë. Duket sikur perëndimi politik në Berlin i Angela Merkelit ka paralizuar edhe përvojën dhe vullnetin drejtues të kancelares. Dobësia e saj çon në ndërrimin e shtabit në BE. Që në zgjedhjen e presidentes së Komisionit Europian, Macron ishte në rolin e një vendim marrësi. Tani ai po kthehet në liderin e fortë të Europës./ABC News Albania 24/7