Presidenti Brazilian Bolsonaro me anë të një fjalimi të transmetuar drejt për drejt në television konfirmoi dërgimin e ushtrisë në Amazonë për shkak të situatës së zjarreve. Ai u shpreh se kjo situatë nuk mund të shërbejë si një justifikim për sanksione të reja ndaj vendit.
Për të ndihmuar në shuarjen e zjarreve në Amazonë, që tashmë janë kthyer në një krizë ndërkombëtare, presidenti Brazilian Bolsonaro urdhëroi dërgimin e ushtrisë dhe premtoi tolerancë zero ndaj atyre që ndezin zjarre.
Sipas tij, zjarret në Amazonë nuk mund të justifikojnë sanksione ndërkombëtare tregtare ndaj Brazilit. Ai shtoi se zjarret në pyje ndodhin në të gjithë botën. Bolsonaro u shpreh se pyjet në Amazonë janë një pjesë shumë e rëndësishme e historisë së Brazilit dhe mbrojtja e tyre është një detyrim.
Gjatë transmetimit të fjalës së kreut të shtetit në televizion në qytete të ndryshme të vendit janë zhviluar protesta kundër politikave për ambjentin të qeverisë aktuale. Në San Paolo dhjetëra mijëra protestues bllokuan trafikun rrugor. /ABC News Albania 24/7