24 vjet nga masakra në Mejë

schedule09:06 - 27 Prill, 2023

schedule 09:06 - 27 Prill, 2023

Sot shënohet përvjetori i 24-të i masakrës në Mejë të Gjakovës, ku më 27 prill  1999 u vranë 376 persona.

Në përkujtim të kësaj ngjarjeje tragjike, sot në orën 12:00 në kompleksin memorial në Mejë do të bëjë homazhe kryeministri i vendit, Albin Kurti.

Kurti, do të bëjë nderime te Memoriali për të Pagjeturit para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në orën 10:00.

22 vjet më parë, forcat serbe rrethuan Rekën e Keqe dhe Lugun e Carragojës në rrethinën e Gjakovës.

Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës gjatë viteve 1998-1999.

Në një operacion të planifikuar u ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapura vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës.

Grumbullimi i djemve dhe burrave në grupe nga mosha 15-60 vjeç filloi në orët e hershme të mëngjesit.

Në një bilanc të tmerrshëm u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, duke i ekzekutuar të gjithë djemtë dhe burrat shtëpi për shtëpi.

Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët, fqinjët e maskuar krijuan kordonin me imazhet e Srebrenicës duke ekzekutuar 376 meshkuj shqiptarë në atë që njihet si dita e festës së Jugosllavisë së fundit e cila nën vallen e gjakut ishte krijuar me lojërat e juristëve të Slobodan Millosheviqit më 27 prill 1992.

Atë ditë asnjëri nga të ndalurit nuk arriti të dilte i gjallë nga Meja dhe pas luftës trupat e masakruar të tyre, disa u gjetën nëpër varreza masive nëpër Kosovë kurse të tjerët ka informacion se janë ende diku nëpër Serbi.

Përkundër kërkesave të familjarëve dhe organizatave të ndryshme në Kosovë që trupat e tyre të kthehen nga Serbia, kjo gjë është zvarritur nga shteti serb dhe ende nuk është bërë.

/KosovaPress/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!