Parlamenti i Lituanisë miratoi sot legjislacionin që lejon rojet kufitare të kthejnë migrantët që kalojnë kufirin ilegalisht, duke hedhur poshtë shqetësimet e grupeve të të drejtave të njeriut.
Lituania, Polonia dhe Letonia kanë raportuar që nga viti 2021 një rritje të emigrantëve nga vende si Iraku dhe Afganistani, të cilët po përpiqen të kalojnë kufijtë e tyre nga Bjellorusia.
Të tre vendet dhe Brukseli e kanë karakterizuar situatën si një formë lufte hibride e krijuar për të bërë presion ndaj Bashkimit Europian mbi sanksionet që vendos ndaj Minskut.
Rojet kufitare lituaneze tashmë do t’i kthejnë migrantët sipas një rregulloreje qeveritare të gushtit 2021 që tani është bërë ligj.
“Në këtë kontekst gjeopolitik ne nuk kemi alternativë: duhet të mbrohemi dhe na duhen mjete për këtë,” tha ministrja e Brendshme Agne Bilotaite.
Legjislacioni përfshin dispozita sipas të cilave emigrantët e kapur duke hyrë ilegalisht në vend mund të dëbohen pa apelim. Sipas ligjit ndërkombëtar, migrantët kanë të drejtë të kërkojnë azil dhe personave që kanë kërkuar azil u ndalohet të kthehen në vende ku jeta ose mirëqenia e tyre mund të jetë në rrezik.
Kritikët, si Amnesty International, argumentojnë se ligji rrezikon të çojë në mohimin e azilit për njerëzit që kanë nevojë për mbrojtje.
“Kam marrë raporte të vazhdueshme dhe shqetësuese për dhunë dhe shkelje të tjera të të drejtave të njeriut kundër migrantëve, duke përfshirë kthimin në kufirin e Lituanisë me Bjellorusinë”, tha në një deklaratë Komisionerja e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut, Dunia Mijatović.
Lituania ka ndërtuar një gardh 4 metra të lartë përgjatë 550 km të gjatësisë totale prej 690 km të kufirit të saj me Bjellorusinë, i mbuluar me tela me gjemba.
Gati 900 emigrantë kanë hyrë dhe janë kthyer mbrapsht këtë vit, tha një zëdhënës i Patrullës Kufitare.
/abcnews.al