Presidenti i Republikës Sërpska, Millorad Dodik paralajmëroi mbi mundësinë e shkëputjes nga Bosnjë dhe Heregovina dhe bashkimin me Serbinë.
Dodik foli me rastin e ditës së përkujtimit të 700 mijë viktimave të kampit famëkeq të Jasenovacit, në Donja Gradina, ngarje ku mori pjesë edhe presidenti serb, Aleksandër Vuçiç.
Teksa hoqi paralele mes krimeve të ndodhura gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe atyre në luftën e fundit në Jugosllavi, Dodik deklaroi se shekulli i kaluar ishte ai i vuajtjes serbe, ndërsa shekulli aktual do të jetë ai i bashkimit të serbëve.
“Ne jemi këtu nga Republika Sërpska sepse i takojmë një kombi dhe një ditë ne do të jemi një shtet. Askush nuk do të na ndalojë që ta bëjmë këtë sepse është e drejta jonë dhe historia jonë. Shteti është fjalë kyçe në lirinë tonë dhe prandaj ne duam që qartazi ta themi se nuk ka iluzione apo kërcënim për këdo kur Republika Sërpska shpreh vullnetin e saj popullor për të formuar shtetin e vet, sepse ne nuk mund të jetojmë në Bosnjë-Hercegovinë, shtet që na shtyp dhe kërcënon liritë tona”, theksoi ai.