Ligjvënësit amerikanë reaguan pasi Gjykata e Lartë të premten mbajti në fuqi qasjen e grave ndaj një ilaçi të përdorur prej kohësh për aborte mjekësore, ndërsa vazhdon një proces gjyqësor për këtë çështje. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Arash Arabasadi, ky veprim bllokoi një vendim të gjykatës më të ulët që do të kishte vendosur kufizime në përdorimin e ilaçit mifepriston.
Ilaçi i miratuar për përdorim gati 25 vjet më parë nga Administrata e Ushqimit dhe Barnave, ose FDA, do të mbetet në treg tani për tani.
Vendimi i Gjykatës së Lartë të premten hodhi poshtë vendimin e një gjykate më të ulët në Teksas në lidhje me mifepristonin, i cili në kombinim me një ilaç të dytë, misoprostolin, përdoret në më shumë se gjysmën e rasteve të aborteve në vend.
Padia e ngritur pretendon se miratimi i mifepristonit nga FDA-ja ishte me të meta.
Kjo pason vendimin e Gjykatës së Lartë me prirje konservatore, gati një vit më parë, që përmbysi vendimin Roe kundër Wade, duke eliminuar kështu të drejtën kushtetuese të një gruaje për abort.
Disa ligjvënës kanë kërkuar kohët e fundit dënim ekstrem për ata që kërkojnë procedurën.
“Në shtetin tim të Karolinës së Jugut kishte një grup të vogël – shumë të vogël – ligjvënësish shtetërorë që paraqitën një projekt-ligj që do të ekzekutonte gratë që kryenin abort dhe u jepte më shumë të drejta përdhunuesve sesa grave që ishin përdhunuar. Ky është mesazhi i gabuar ndërsa shkojmë drejt zgjedhjeve. Ne do të humbasim shumë nëse vazhdojmë në këtë rrugë. Shumica dërrmuese e njerëzve duan kufizime kohore… Ata duan përjashtime për përdhunimin dhe inçestin. Ata duan që gratë të kenë qasje ndaj pilulave për të mos mbetur shtatëzëna”, thotë ligjvënësja republikane Nancy Mace.
Pas rrëzimit të së drejtës federale për abort nga Gjykata e Lartë, janë legjislaturat shtetërore ato që po formulojnë praktikat e lejuara për këtë çështje.
Në Florida, guvernatori republikan Ron DeSantis nënshkroi një projekt-ligj për të ndaluar abortet pas gjashtë javësh.
Ndërkohë, guvernatorja demokrate e Miçiganit, Gretchen Whitmer, shfuqizoi një ndalim të abortit të vitit 1931, duke forcuar të drejtat e abortit në kushtetutën e shtetit.
Sipas një sondazhi të fundit të organizatës Gallup, vendimi i gjykatës më të ulët të Teksasit për këtë rast vjen ndërsa bie mbështetja për sistemin gjyqësor amerikan.
“Vendimi i gjykatësit në Teksas, mendoj se ishte i padrejtë. Ideja se mund të heqësh nga tregu një ilaç që është përdorur në mënyrë të sigurt për më shumë se dy dekada dhe në një farë mënyre ta bësh të padisponueshmëm? Sinqerisht mendoj se vendimi për kujdesin shëndetësor të grave u takon vetë atyre dhe ideja që ky gjyqtar të ndërhyjë kaq thellë për një procedurë të sigurt nuk qëndron, jo vetëm në lidhje me zgjedhjet e kujdesit shëndetësor të grave, por edhe sepse minon integritetin e procesit tonë të FDA-së. Mendoj se Gjykata e Lartë e ka kuptuar mirë, por kush e di se ku do të jetë vendimi i tyre përfundimtar”, tha senatori demokrat Mark Warner.
Të drejtat e abortit janë bërë sërish një çështje qendrore për votuesit amerikanë përpara ciklit zgjedhor të vitit 2024.
Presidenti Joe Biden, i cili vlerësoi vendimin e Gjykatës së Lartë të së premtes, ka thënë se do të vazhdonte përpjekjet që të drejtat e abortit të mbrohen me ligj./VOA