Presidenti i ri i Malit të Zi, Jakov Milatoviç deklaroi se anëtarësimi i plotë në BE është prioriteti më i lartë për vendin.
“Unë vërtet besoj se kemi momentumin për të kapur ‘trenin e fundit’ dhe për t’u bërë anëtare e BE-së në pesë vitet e ardhshme. Deri tani negociatat ishin pro forma, ai proces shkonte me ritmin e “kërmillit”, pikërisht për shkak të mungesës së vullnetit politik në periudhën e mëparshme. Nuk ka pasur reforma thelbësore që janë të nevojshme në rrugën e integrimit, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit”, tha Milatoviç në një intervistë për të përjavshmen e Beogradit NIN.
Ai beson se anëtarësimi i Malit të Zi është një mënyrë e mirë për BE-në për të treguar se politika e zgjerimit është ende e gjallë, e cila është e rëndësishme për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, si dhe ato të Evropës Lindore.
Milatoviç theksoi gjithashtu rëndësinë e integrimit ekonomik rajonal./abcnews.al