Edhe pse nuk merr asnjë fond nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ), shpenzimet e ish-kryeministrit Sali Berisha në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale të 14 majit janë të larta.
Në një intervistë për ABC News, analisti Edvin Kulluri, teksa u pyet se ku i gjen Berisha paratë për fushatë, deklaroi se shpenzimet janë më të larta se sa deklarohen.
“Këtu nuk është problemi vetëm ku i gjen paratë Berisha, puna është që sistemi i financimit të partive politike në Shqipëri është i dështuar. Është një teatër i madh, sepse realisht, shpenzimet elektorale janë shumë më të mëdha se ato që deklarohen në KQZ dhe që financohen nga buxheti i shtetit tek partitë politike.
Minimumi, nga eksperienca ime elektorale, një fushatë shkon deri në 150 mijë euro, për një kandidat për deputet ose një kandidat për kryetar bashkie. Po të shikoni, shifrat reale, janë 20 herë më të larta se ato që deklarohen dhe faturohen. Kur pyesim se ku i gjen paratë zoti Berisha, pyetja është ku i gjejnë paratë të gjithë kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkie”, theksoi ai./abcnews.al