Kisha Katolike e Spanjës ka njoftuar se “ka kërkuar falje me sinqeritet dhe përulësi” për rastet e abuzimit seksual ndaj fëmijëve në institucionet e saj. Presidenti i Konferencës së Peshkopëve Spanjoll (CEE), institucioni më i lartë i Kishës Katolike në Spanjë, dhe njëherësh kardinali i Barcelonës Juan Jose Omella, në fjalën e tij në hapjen e mbledhjeve plenare të mbajtura në Madrid, tha se si Kishë, ata “pranojnë mëkatin” e abuzimit seksual ndaj fëmijëve në të kaluarën.
“Ne sinqerisht dhe me përulësi kërkojmë falje për viktimat. Ne kemi kërkuar falje për këtë mëkat të madh dhe do të vazhdojmë të kërkojmë falje. Por nuk mjafton të kërkojmë falje, duam që kjo fatkeqësi të fshihet nga shoqëria jonë. Për këtë arsye ne vazhdojmë të bashkëpunojmë me gjyqtarët, prokurorinë dhe avokatin e popullit, për të dhënë të gjithë informacionin që kemi dhe për të vënë në veprim protokollet tona. Duam që kjo mbresë të hiqet tërësisht nga shoqëria jonë”, tha ai, raportojnë mediat e huaja.
Omella, dënoi faktin që kho nuk u zbardh plotësisht dhe argumentoi se ata duhet të udhëheqin kërkimin e një zgjidhjeje që përfshin të gjithë shoqërinë kundër këtij problemi social.
“Kisha dëshiron të udhëheqë luftën kundër kësaj fatkeqësie që prek një në pesë fëmijë në Evropë. Na vjen keq që kjo çështje e dhimbshme nuk po trajtohet aktualisht në shkallë globale, pa pasur frikë nga asnjë nga përgjegjësitë tona. Ne këmbëngulim të analizojmë këtë dramë brenda Kishës”, u shpreh ai.
Në raportin e dorëzuar pranë institucionit të Ombudsmanit në fund të marsit dhe të ndarë me publikun, CEE njoftoi se kishte njohuri për 706 akuza për abuzim seksual ndaj fëmijëve në institucionet brenda Kishës Katolike Spanjolle që nga viti 1945. Sipas raportit, 186 nga 706 raste në raport janë në periudhën e fundit.