Gjermanët të ndarë për mbylljen e tre reaktorëve të fundit bërthamorë

schedule12:08 - 15 Prill, 2023

schedule 12:08 - 15 Prill, 2023

Në njërën anë të Portës së Brandenburgut në Berlin, të shtunën do të ketë festë – të organizuar nga aktivistët kundër energjisë atomike për të shënuar fitoren në betejën që ka zgjatur 60 vjet.

Në anën tjetër të Portës, do të ketë protesta – pasi demonstruesit do të marshojnë kundër mbylljes së tre reaktorëve të fundit bërthamorë në Gjermani. Isar 2, Emsland dhe Neckarwestheim 2, do të pushojnë së punuari në mesnatë.

Te Porta e Brandenburgut, kur Muri e ka ndarë Berlinin përgjatë Luftës së Ftohtë, energjia bërthamore është një linjë ideologjike që po ndan shtetin. Është një temë që zgjon emocione dhe debate si rrallë ndonjë çështje tjetër.

Sidomos tani, kur në Evropë është duke u zhvilluar një luftë, ajo e Rusisë kundër Ukrainës. Ndërkohë, gjermanët e akuzojnë njëri-tjetrin për ideologji irracionale.

Komentatorët dhe politikanët konservatorë besojnë se shteti është bërë skllav i dogmës së Partisë së Gjelbër, e cila shtyn përpara idenë e mbylljes së reaktorëve bërthamorë, në kohën kur heqja dorë nga energjia ruse nënkupton rritje të çmimeve.

Ata akuzojnë qeverinë për rritje të varësisë në lëndë djegëse të papërpunuara, në vend të energjisë bërthamore, e cila njihet për më pak emetime karboni në natyrë.

“Është ditë e zezë për mbrojtje të klimës në Gjermani”, ka thënë Jens Spahn, deputet konservator i Unionit Demokristian (CDU), për televizionin RTL, më herët gjatë javës.

Aktualisht, Gjermania e siguron pothuajse gjysmën e rrymës nga energjia e ripërtrishme – 44 për qind më 2022, sipas Zyrës Federale të Statistikave – dhe vetëm 6 për qind nga energjia bërthamore.

Ministri i Ekonomisë, Robert Habeck nga Partia e Gjelbër parashikon që 80 për qind e energjisë së Gjermanisë do të jetë e ripërtrishme deri më 2030, andaj edhe ka miratuar ligje që shpejtojnë procesin e ndërtimit të fermave solare.

Mirëpo, vitin e kaluar, proporcioni i energjisë së ripërtrishme ka stagnuar, derisa emetimet e karbonit janë rritur. Kjo për shkakun që Gjermania është detyruar të importojë më shumë gaz të lëngshëm natyror dhe të përdorë më shumë thëngjill, ashtu që të zëvendësojë gazin rus.

Një realitet i tillë, i ka nxitur edhe disa votues të Partisë së Gjelbër, dhe aktivistët kundër energjisë bërthamore, që të mbështesin vazhdimin e përkohshëm të punës në tre reaktorët bërthamorë.

Në një artikull të publikuar në Der Tagesspiegel, ministrja e Ambientit, Steffi Lemke  nga Partia e Gjelbër  ka thënë se Gjermania do të mbyllë reaktorët bërthamorë, sepse aksidentet katastrofike nuk mund të përjashtohen, “qoftë nëse janë për shkak të gabimit të njeriut, sikur në Çernobil, apo nga katastrofat natyrore, sikurse ajo në Fukushima, apo sulme, të cilat është duke i përjetuar Ukraina, për shkak të luftës së Rusisë”.

Sipas saj, Gjermania nuk ka nevojë për energji bërthamore, sepse energjia e ripërtrishme është më e sigurt, më e qëndrueshme, më e mirë për klimën dhe më e mirë edhe për ekonominë.

Pavarësisht parashikimeve për mungesë të energjisë, Gjermania është duke prodhuar energji më shumë sesa ka nevojë, duke eksportuar energji në Francë përgjatë muajve të verës, kanë thënë liderët e Partisë së Gjelbër.

Por, votuesit janë të ndarë.

Sipas një sondazhi të kryer nga rrjeti televiziv ARD, 59 për qind e gjermanëve janë kundër mbylljes së stacioneve bërthamore, derisa 34 janë për mbyllje.

Mbështetja për energji bërthamore është më e madhe në mesin e personave të moshuar dhe votuesve konservatorë.

Mirëpo, pyetjet më të detajuara, tregojnë realitet tjetër.

Në sondazhin e fundit të realizuar nga YouGov, më herët gjatë kësaj jave, 65 për qind e gjermanëve kanë thënë se duan t’i mbajnë aktivë reaktorët bërthamorë, tani për tani.

Vetëm 33 për qind kanë dëshiruar që Gjermania t’i mbajë në punë këta reaktorë, përgjithmonë. Me fjalë të tjera, mbyllje të reaktorëve, sipas tyre, duhet të ketë, por jo tani.

Të enjten, lideri i konservatorëve të Bavarisë, Markus Soder, e ka vizituar zonën e reaktorit, Isar 2, dhe u ka bërë thirrje gjermanëve, që jo vetëm të mbajnë aktivë reaktorët bërthamorë, por edhe të aktivizojnë stacionet e vjetra bërthamore, përfshirë një që e ka mbyllur vetë ai.

Ndërkohë, Christian Lindner, ministër i Financave dhe udhëheqës i Partisë Liberale FDP – e cila është pjesë e koalicionit qeveritar – është rebeluar këtë javë kundër linjës qeveritare, dhe ka bërë thirrje që tri stacionet bërthamore të jenë aktive.

Të dy liderët e dinë se në këtë pikë, ide të tilla janë vështirë të realizueshme, si në aspektin teknologjik, ashtu edhe në të atë ligjor, apo edhe financiar.

Mirëpo, ndoshta duke parë sondazhet, ata shohin mundësi për pikë politike, pavarësisht se çfarë do të ndodhë me reaktorët.

Partia e Gjelbër, e cila i ka rrënjët në lëvizjen kundër energjisë bërthamore, më 1970, do të festojë këtë fundjavë.

Mirëpo, partia e di se kundërshtarët e saj janë të gatshëm t’ia drejtojnë gishtin, në rast të komplikimeve në të ardhmen, qoftë me ndërprerje, me rritje të çmimeve të energjisë, apo edhe rritje të emetimeve të karbonit./rel

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!