Dy persona me origjinë shqiptare kanë humbur jetën në një aksident tragjik që ka ndodhur në Itali në orët e para të mëngjesit të së shtunës. Aksidenti ndodhi në autostradën A14 Bologna – Taranto. Viktimat janë një grua 38 vjeç dhe një burrë 28 vjeç, të dy shqiptarë. Mediat italiane nuk kanë bërë të ditur identitetin e viktimave.
Automjeti i tyre, Renault Clio, u godit në pjesën e pasme nga një makinë Volkswagen Passat. Përplasja ishte aq e fortë, saqë u shkaktoi vdekjen e menjëherë dy shqiptarëve.
Në automjetin e dytë udhëtonin 3 persona me origjinë italo-zvicerane. Dy burra dhe një grua mbetën të plagosur, por gjendja e tyre raportohet të jetë jashtë rrezikut.
Shkaqet e këtij aksidenti të rëndë janë të paqarta. Autoritetet italiane janë duke hetuar dinamikën dhe rrethanat se çfarë e shkaktoi përplasjen mes automjeteve që rezultoi fatale për dy shqiptarët. Mësohet se 28-vjeçari banonte në Imola, kurse 38-vjeçarja jetonte në Galeata. /tvklan.al