Norvegjia ka njoftuar se do të dëbojë 15 zyrtarë të Ambasadës ruse, që sipas Ministrisë së Jashtme janë zyrtarë të inteligjencës që po operonin duke u paraqitur si diplomatë. Moska tha se do të kundërpërgjigjet për këtë veprim të Oslos.
Me dëbimin e këtyre zyrtarëve, Oslo deri më tani ka dëbuar një të katërtën e diplomatëve rusë në Norvegji, shkruan REL.
Vendimi i Oslos është i fundit në shtetet perëndimore që janë dëbuar diplomatë rusë që kur Rusia nisi pushtimin e Ukrainës vitin e kaluar. Vetëm gjatë këtij viti, Estonia, Holanda dhe Austria po ashtu kanë dëbuar diplomatë rusë.
Në prill të vitit 2022, Norvegjia kishte dëbuar tre diplomatë rusë.
“Ky është një hap i rëndësishëm në luftimin dhe uljen e nivelit të aktivitetit të inteligjencës ruse në Norvegji dhe në këtë mënyrë për të mbrojtur interesat tona kombëtare”, tha përmes një deklarate ministrja e Jashtme norvegjeze, Anniken Huitfeldt.
“Rusia aktualisht paraqet kërcënimin më të madh të inteligjencës për Norvegjinë. Ne nuk do të lejojmë që oficerët e inteligjencës ruse të operojnë, duke u paraqitur si diplomatë”, shtoi ajo.