Ministrja e Energjitikës dhe Infrastukturës, Belinda Balluku, në fjalën e saj këtë të enjte në Kuvend, ka dhënë detaje në lidhje me projektligjin për “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 97/2013 “Për mediat audiovizive në Republikën e Shqipërisë””.
Balluku është shprehur se ky është një projektligj i rëndësishëm përsa i përket mbarëvajtjes së mediave në vendin tonë, ku në fokus ajo ka vënë edukimin mediatik, në aspektin sesa selektiv mund të jenë vetë shikuesit dhe lexuesit.
“Zakonet e shikimit veçanërisht ato të brezave të rinj kanë ndryshuar, por televizioni mbetet një mjet i rëndësishëm për shpërndarjen e informacionit për brezat që e kanë të përdorshëm. Konvergjenca e mediave kërkon një kuadër të ri ligjor për të arritur një ekuilibër mes aksesit dhe në këtë frymë vjen sot edhe projektligji i ndryshuar.
Ky projektligjë vjen si pjese e detyrimeve të Shqipërisë për anëtarësim në BE.
Në këtë projektligj gjen vend edhe edukimi mediatik, shpërndarja e videove dhe ato të krijuara nga vetë përdoruesit. Koncepti i edukimit mediatik i referohet aftësisë dhe njohurisë së përdoruesit, që ka të bëjë me njophuritë e audiencës dhe informimi i publikut të dije të bëjë dallimin ndaj gjuhës së urrejtjes apo lajmeve të rreme që përdoret në media. Ajo që ngelet më e rëndësishme është mbrojtja e fëmijëve nga dëmtimi dhe rreziku i shëndetit të tyre mendor nga mediat sociale.
Megjithëse jo pjesë e direktivës, por e legjislacionit për barzainë gjinore është shtuar edhe koncepti i seksizmit në media, për të respektuar barazinë gjinore në mediat audio vizive. Ky projekt ligj është hartuar me vëmendje nga stafet përkatëse duke marrë konsultime me mbështetjen e partnerëve evropianë”, ka thënë Balluku./abcnews.al