Zgjedhjet e 14 majit/ Begaj thirrje qytetarëve: Votoni të lirë, denonconi çdo intimidim apo shantazh

schedule11:34 - 13 Prill, 2023

schedule 11:34 - 13 Prill, 2023

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj i ka bërë thirrje qytetarëve që të votojnë të lirë në zgjedhjet lokale të 14 majit.

Gjatë një deklarate nga Presidenca, Begaj u shpreh se qytetarët duhet të denoncojnë çdo intimidim apo shantazh që u bëhet për votën.

Sipas Begajt, zgjedhjet lokale japin mundësinë për të përmirësuar jetën e qytetarëve.

“Më lejoni të përcjell një mesazh për të gjithë votuesit e vendit tim. Të dashur bashkëqytetarë, zgjedhjet vendore iu japin mundësinë për të përmirësuar hapësirën e jetesës së përditshme, duke filluar nga rruga ku kaloni çdo ditë, lagja ku rriten fëmijët tuaj, si dhe qyteti apo fshati ku ju banoni. Ndaj, ju lutem, në këto zgjedhje me efekte të menjëhershme në përditshmërinë tuaj, ushtroni vullnetin tuaj të mirëinformuar dhe krejt të lirë. Çdo intimidim apo shantazh duhet të denoncohet dhe të dënohet. Ju ftoj të ushtroni të drejtën e pushtetit të votës suaj me gjithë forcën që i takon, duke përmbushur detyrimin tonë qytetar. Zgjedhjet nuk janë të partive politike, ato janë për qytetarët shqiptarë, janë për Shqipërinë”, theksoi ai./abcnews.al