Personazhi i radhës që ka bërë thirrje për paqe në Hong Kongun e përfshirë nga protestat ka qenë “njeriu merimangë”. Nga maja e një grataçele, ai ka shpalosur një baner me shtrëngim duarsh, veprimi ky që ka shkaktuar jo pak polemika në radhët e disidentëve kinezë.
Alain Robert, francezi i njohur ndryshe si “Njeriu merimangë” ka ngjitur një grataçelë të Hong Kongut duke valëvitur në majë të saj një baner që bënte thirrje për paqen.
Baneri i Robert, i njohur për bëma të tilla, tregonte një shtrëngim duarsh dhe flamujt e Hong Kongut dhe Kinës së bashku. Hong Kongu ka përjetuar në muajt e fundit një seri protestash anti-qeveritare, të cilat në shumë raste kanë degraduar në përleshje me policinë. Në reagimin e tij, ngjitësi 57-vjeçar deklaroi se performanca e tij ishte një thirrje urgjente për paqe.
“Ndoshta ajo që mund të bëj unë është të ul temperaturat dhe të sjell një buzëqeshje tek njerëzit. Të paktën kjo është ajo çka shpresoj”, tha Robert.
Sikurse në rastet e mëparshme, as këtë herë zoti Robert nuk përdori litarë apo masa mbrojtëse. Por performanca e tij nxiti reagime në rrjet. Disidenti kinez që jeton në Australi, Badiukao u shpreh në profilin e tij në Tëitter: “Do vërtet të shtrëngosh duart me diktatorë dhe kasapë?”.
Ndërkohë, autoritetet në Pekin kanë reaguar sërish duke deklaruar se skenari i Tienanmenit nuk do të përsëritet në Hong Kong, por përdorimi i forcës mbetet një opsion.
Alain Robert zakonisht ngjitet në kullat e larta nëpër botë pa paralajmëruar dhe pa kërkuar lejen e autoriteteve. Ai ka kryer ngjitje në Hong Kong edhe më parë dhe gushtin e kaluar iu ndalua me vendim gjykate të përsëriste veprimet e tij për të paktën 1 vit. Është ende e paqartë nëse urdhri në fjalë ka përfunduar efektin./ABC News Albania 24/7