Koreja e Veriut ka vendosur të tërhiqet nga bisedimet e paqes me Jugun dhe në shenjë pakënaqësie ka testuar dy raketa të reja në gadishullin Korean. Lëvizja e Penianit erdhi pas një deklarate të presidentit koreano-jugor, se brenda vitit 2045 do të bashkonte dy Koretë.
Koreja e Veriut ka refuzuar bisedime të mëtejshme për paqen me Jugun, duke fajësuar për këtë vendim politikën dhe veprimet e Seulit. Krahas deklaratës, që ishte një përgjigje ndaj një fjalimi të presidentit koreano-jugor Mun Jae In, Peniani testoi mëngjesin e së premtes edhe dy raketa të reja në detin në brigjet e saj.
Bëhet fjalë për testin e gjashtë në më pak se një muaj, që është një reagim ndaj stërvitjes së përbashkët ushtarake mes Jugut dhe Shteteve të Bashkuara. Sipas autoriteteve në Seul, dy raketat e paidentifikuara u qëlluan rreth orës 1 të mëngjesit, me orën tonë, udhëtuan për 230 kilometra dhe arritën një lartësi prej 30 kilometrash.
Vetëm 6 ditë më parë, Veriu qëlloi dy raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi në detin e Japonisë. Seria e testeve erdhi pavarësisht se presidenti amerikan Donald Trump dhe lideri Kim Jong un ranë dakord gjatë një takimi të mbajtur në qershor për rifillimin e negociatave të çarmatosjes bërthamore.
Në një fjalim me rastin e çlirimit të Koresë së Jugut nga pushtimi japonez, presidenti Mun u zotua për bashkimin e gadishullit Korean brenda vitit 2045. Ai tha se qëllimi për të arritur çarmatosjen bërthamore në gadishull është një nga pikat më kritike, në një kohë kur bisedimet dypalëshe kanë hyrë në ngërç./ABC News Albania 24/7