Kina nisi stërvitjet rreth Tajvanit, Japonia mobilizon avionët ushtarakë

schedule12:43 - 10 Prill, 2023

schedule 12:43 - 10 Prill, 2023

Japonia ka urdhëruar mobilizimin e avionëve luftarakë për shkak të stërvitjeve të Kinës rreth Tajvanit. Stërvitjet ushtarake, të cilat filluan të shtunën dhe do të zgjasin tre ditë, u organizuan nga Pekini në përgjigje të takimit më 5 prill në SHBA midis presidentes të Tajvanit Tsai Ing-wen dhe kryetarit të Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Kevin McCarthy.

Tajvani njoftoi sot se kishte vënë re 11 anije luftarake dhe 59 avionë ushtarakë kinezë rreth ishullit. Avionët luftarakë dhe anijet luftarake, duke përfshirë aeroplanmbajtësen Shandong, morën pjesë në sulme të simuluara në ishull, duke përfshirë stërvitje me zjarr të vërtetë.

Shtabi i përgjithshëm ushtarak i Japonisë tha në një deklaratë të lëshuar sot se kishte pikasur anijet luftarake Shandong dhe të tjera kineze në një zonë që ndodhet 230-430 km në jug të ishullit japonez Miyako që nga e premtja e kaluar.

“Rreth 120 ulje dhe ngritje” u konfirmuan në aeroplanmbajtësen Shandong, duke përfshirë 80 avionë luftarakë dhe 40 helikopterë, sipas shtabit të përgjithshëm.

Dy grupe të forcave japoneze u mobilizuan për këtë mision vëzhgimi, ndërsa u vendosën në gatishmëri avion  luftarakë të forcave të vetëmbrojtjes ajrore në përgjigje të stërvitjeve nga avionët luftarakë kinezë, tha ai.

Është hera e parë që Shandong, një nga dy aeroplanmbajtëset e Kinës, ka marrë pjesë në stërvitjet që përfshijnë rrethimin e Tajvanit, sipas ushtrisë kineze.

“Nëse duam të mbrojmë paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit, duhet të kundërshtojmë me vendosmëri çdo formë shkëputjeje për pavarësinë e Tajvanit”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme kineze Wang Wenbin në një konferencë të rregullt për shtyp sot.

/abcnews.al