Etiketoi një gazetar si homoseksual, Zaev në qendër të kritikave

schedule17:30 - 14 Gusht, 2019

schedule 17:30 - 14 Gusht, 2019

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut Zoran Zaev është vënë në qendër të kritikave për shkak se ka etiketuar si homoseksual një gazetar kritik ndaj qeverisë të tij. Shoqata e Gazetarëve ka reaguar duke kërkuar që Zaev të kërkojë falje.

Zoran Zaev, kryeministër i RMV:  “Unë jam Zoran Zaev, kam ardhur falë votës së qytetarëve duke luftuar. Duke luftuar për liri dhe për demokraci, për shtet të së drejtës dhe për sundim të së drejtës, dhe për shtet normal. Unë jam luftëtar dhe do të vazhdoj të luftoj deri në fund. Sigurisht që nuk do të lejoj që disa kriminelë, një gazetar koti dhe i kërkoj falje komunitetit LGBTI një “homoseksual” t’ia rrëzojnë nga pushteti këtë qeveri”.

Fjalë të ashpra në deklaratën e kryeministrit ose defokusim nga rasti “Zhvatja”. Këto janë dilemat kryesore një ditë pas deklaratës së kryeministrit Zoran Zaev, në shënjestër të së cilës ishin protagonistët në rastin për zhvatjen e parave, i cili pret zgjidhje gjyqësore. Shoqata e gazetarëve paralajmëron se në këtë mënyrë nxitet dhuna ndaj punëtorëve mediatikë dhe kufizimi I lirisë së fjalës, duke sugjeruar në autorin e teksteve në të cilat për herë të parë u zbardhën detaje për rastin.

Grafik Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë: “I bëjmë thirrje Kryeministrit Zoran Zaev që menjëherë t’u kërkojë falje gazetarëve, para së gjithash kolegut Branko Geroski, në qoftë se kjo deklaratë i ishte drejtuar atij, dhe në të ardhmen të përmbahet nga diskreditimi i këtillë i gazetarëve”.

Këshilli për etikë në media deklaratën e vlerëson si të pahijshme dhe të papërshtatshme për bartës të detyrës publike.

Grafik Këshilli për Etikë në Media: “Roli i pushtetit në demokraci në asnjë rast nuk d.m.th. përzierje në punën e gazetarëve, ndërsa deklaratat e tilla mund të llogariten si presion I hapur dhe përpjekje për diskreditim publik të profesionit”.

Nga Këshilli për etikë e dënojnë, siç thonë, deklaratën jo-shembullore të kryeministrit me të cilën drejtpërdrejt paragjykohet komuniteti LGBTI në vend. Në reagimin e parë të Uranija Pirovskës, drejtoresha ekzekutive e Komitetit të Helsinkit për të drejta të njeriut, në rrjetet sociale sugjerohet në dyfytyrësi të politikanëve.

Uranija Pirovska, Komiteti i Helsinkit: “Kaq nga pranimi i dallimeve dhe respektimi i tyre! Demagogji e rëndë do të ishte gjithçka që është thënë dhe është bërë më parë!”.

Kryeministri u përpoq të dalë nga situata, gjithashtu nëpërmjet rrjeteve sociale, në Tuiter, ka shkruar.

Zoran Zaev, Twiter:  “Komuniteti LGBTI ka respektin tim. Për këtë arsye, para se t’ia përdorim fjalën “homoseksual” kërkova falje. Këtë fjalë e përdora që të përshkruaj një tipar karakteri, jo të theksoj përkatësi seksuale. Ju kërkoj falje personave LGBTI. Do të luftoj për të drejtat e tyre, siç kam bërë deri tash”.

Për deklaratën e kryeministrit Zaev shkruajnë edhe një pjesë e madhe e mediave në rajon.